Një ngjarje tronditëse, e dyshuar si vrasje-vetëvrasje, ka ndodhur në autostradën A1, në zonën e Firences në Itali. Mediat italiane shkruajnë se, një burrë ndaloi automjetin dhe hodhi nga viadukti i Altetës, në territorin e Barberino del Mugello, ish-partneren e tij, pikërisht në momentin kur në vendngjarje po mbërrinin efektivët e policisë dhe një mik i gruas. Më pas, burri u hodh edhe vetë nga ura dhe humbi jetën.
Ngjarja
Burri, 36 vjeç, quhej Federico Vella. Ai dyshohet se u hodh në humnerë nga viadukti Lora, përgjatë autostradës. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, 36-vjeçari i kishte ngritur një pritë ish-partneres së tij, Lorenza Isceri, 45 vjeçe, me origjinë nga Leçe. Ai dyshohet se e kishte bllokuar gruan në garazhin e banesës së saj në Firence dhe më pas e kishte mbyllur në bagazhin e automjetit, përpara se të merrte rrugën drejt autostradës A1. Sipas asaj që bëhet e ditur nga Policia e Firences, efektivët gjetën trupin e burrit dhe, pak metra më tutje, edhe trupin e gruas. Në anë të karrexhatës ndodhej automjeti i tyre.
Kërkesat për ndihmë të gruas
Para ngjarjes, gruaja kishte telefonuar numrin unik të emergjencës 112, si edhe një mik, për të kërkuar ndihmë. Pas telefonatës së saj, salla operative e policisë urdhëroi kërkimin e automjetit në autostradë. Kur patrulla e Policisë Rrugore tentoi t’i afrohej burrit, i cili ndodhej në ekuilibër në urë, ai u hodh nga viadukti. Për të nuk kishte më asgjë për të bërë.
Ngjarja është regjistruar nga kamerat e vendosura përgjatë autostradës A1, si edhe nga kamerat trupore të efektivëve të policisë. Fillimisht, ekipet e shpëtimit gjetën trupin e burrit dhe, pak më tutje, atë të gruas.
Një nga hipotezat kryesore të hetimit është se burri mund ta ketë shtyrë ish-partneren nga viadukti dhe më pas të jetë hedhur edhe vetë. Hetimet, të koordinuara nga prokurori Antonio Natale dhe të zhvilluara nga skuadra mobile e Firences, e drejtuar nga Domenico Balsamo, po përpiqen të zbardhin nëse 36-vjeçari e kishte vrarë Lorenza-n përpara se ta hidhte nga viadukti.
Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë, e cila pritet të përcaktojë nëse gruaja ishte vrarë përpara se të hidhej nga viadukti.



