Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e New Orleans, ku të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur pas një aksidenti gjatë festimeve të Vitit të Ri. Sipas zyrtarëve të qytetit, një kamion ka përplasur një turmë të madhe njerëzish në kryqëzimin e Canal dhe Bourbon Street, një zonë e njohur dhe shumë e frekuentuar nga turistët dhe vendasit, veçanërisht gjatë natës së Vitit të Ri.

Departamenti i Policisë së New Orleans konfirmoi ngjarjen dhe tha se viktimat janë regjistruar në rrugët Bourbon dhe Iberville. Policia ka theksuar se ndodhi një incident i rëndë, ku një automjet ka përplasur njerëzit në një nga zonat më të njohura të qytetit, që ishte e mbushur me turmë gjatë festimeve.

Bourbon Street, e cila ndodhet në lagjen franceze, është një destinacion i famshëm për turistët, plot me bare, restorante dhe aktivitete festive. Sipas planit të sigurisë, autoritetet kishin ndarë 100% të personelit dhe kishin mobilizuar 300 oficerë shtesë për të siguruar paqen dhe rendin gjatë natës së Vitit të Ri. Megjithatë, kjo ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin dhe ka lënë një hidhërim të thellë në mesin e komunitetit.

Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe autoritetet po punojnë për të zbuluar shkaqet e incidentit tragjik.