Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, u sulmua nga një turmë protestuesish që hodhën gurë ndaj makinës së tij, por fatmirësisht ai nuk pësoi lëndime. Në automjet u gjetën shenja plumbash, duke ngritur dyshime për një atentat.

Ministrja e Mjedisit dhe Energjisë, Ines Manzano, njoftoi se pesë persona u arrestuan pas incidentit, i cili ndodhi kur autokolona e Noboa-s u rrethua nga rreth 500 protestues që hodhën sende të forta ndaj makinës presidenciale. Ata do të ndiqen penalisht për akuza që lidhen me terrorizmin dhe përpjekje për atentat.

Zyra e presidentit bëri me dije se sulmi nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, ndërsa vetë Noboa, gjatë një aktiviteti me studentë në Cuenca, rreth 77 km larg vendit të sulmit, theksoi se qeveria nuk do të lejojë që veprime të tilla të pengojnë funksionimin e institucionit dhe pjesëmarrjen e tij në aktivitetet publike.

“Mos ndiqni shembullin e keq të atyre që u përpoqën të na ndalonin të merrnim pjesë në këtë aktivitet,” tha Noboa.

Hetimet për këtë ngjarje vijojnë, ndërsa autoritetet kërkojnë të sqarojnë motivet dhe të identifikojnë të gjithë personat e përfshirë në sulm.