Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Melbourne, ku dy të mitur, 12 dhe 15 vjeç, humbën jetën pasi u sulmuan me thikë nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur.
Policia e Viktorias bëri me dije se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, në dy lokacione pranë njëri-tjetrit. Fillimisht u gjet i plagosur rëndë 12-vjeçari, i cili nuk arriti të mbijetonte pavarësisht ndërhyrjes së ambulancës. Pak më vonë, në një rrugë aty afër, u gjet edhe shoku i tij 15-vjeçar, i pajetë nga plagët e shumta me thikë.
Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë nga vendngjarja tregojnë se autorët ishin rreth tetë persona me fytyrat e mbuluara. Policia ka konfirmuar se viktimat nuk kishin lidhje me grupe kriminale, duke e bërë aktin edhe më të rëndë dhe të pashpjegueshëm.
Hetimet vijojnë për të zbuluar motivin e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët, ndërkohë që autoritetet nuk e kanë përcaktuar ende nëse sulmi ishte i qëllimshëm apo një ngatërrim identiteti.
Sipas të dhënave zyrtare, krimet e rënda në Australi janë rritur me 9% gjatë vitit 2024, me 448 viktima të raportuara deri më tani.