Një çështje me përmasa tronditëse ka dalë në dritë në Britaninë e Madhe, ku një burrë 49-vjeçar akuzohet se për më shumë se një dekadë ka droguar dhe ka abuzuar seksualisht ish-bashkëshorten e tij, duke përfshirë edhe persona të tjerë në krime të rënda seksuale. Autoritetet britanike e përshkruajnë rastin si jashtëzakonisht kompleks dhe me ngjashmëri të forta me skandalin e njohur të “Pélicot” në Francë.

Philip Young, ish-banor i Swindon dhe aktualisht rezident në Enfield, përballet me akuza për 56 vepra penale seksuale të kryera ndaj ish-gruas së tij, Joan Young, 48 vjeç. Sipas aktakuzës, abuzimet dyshohet se kanë ndodhur gjatë një periudhe 13-vjeçare, nga viti 2010 deri në vitin 2023, dhe përfshijnë përdhunime të përsëritura, drogim të qëllimshëm dhe shfrytëzim seksual.

Publikimi i një fotografie të vjetër të çiftit, ku ata shfaqen të buzëqeshur, e bën edhe më të rëndë kontrastin me akuzat që rëndojnë mbi këtë çështje.

Prokuroria pretendon se Young i administronte viktimës substanca që e linin të pavetëdijshme, për ta detyruar më pas të përfshihej në akte seksuale, ndërsa akuzat përfshijnë gjithashtu vëzhgim të paligjshëm, posedim të materialeve pornografike ekstreme dhe imazhe të pahijshme të të miturve.

Ai pritet të dalë përpara Gjykatës së Magjistraturës në Swindon më 23 dhjetor, së bashku me pesë burra të tjerë, të cilët përballen në total me rreth 60 akuza për krime seksuale.

Në mesin e bashkëpandehurve janë Norman McSony, 47 vjeç, Dean Hamilton, 46 vjeç, Connor Sanderson Doyle, 31 vjeç, Richard Wilkins, 61 vjeç, dhe Mohammed Hassan, 37 vjeç. Akuzat ndaj tyre variojnë nga përdhunimi dhe penetrimi seksual, deri te marrëdhëniet seksuale pa pëlqim dhe posedimi i materialeve pornografike ekstreme.

Sipas dokumenteve gjyqësore, McSony akuzohet për përdhunim dhe posedim të imazheve ekstreme, Hamilton për përdhunim, penetrim seksual dhe marrëdhënie seksuale të paligjshme, ndërsa Sanderson Doyle, Wilkins dhe Hassan përballen me akuza të ngjashme për abuzim seksual pa pëlqim.

Viktima, Joan Young, ka zgjedhur të heqë dorë nga e drejta e anonimitetit dhe po mbështetet nga oficerë policie të specializuar gjatë gjithë procesit hetimor dhe gjyqësor.

James Foster, prokuror i posaçëm i Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës, deklaroi se ndjekja penale u miratua pas një hetimi të gjatë dhe të thelluar, duke theksuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme dhe një interes i qartë publik për çuarjen përpara të çështjes.

Nga ana e tij, kryehetuesi i Policisë së Wiltshire, rreshteri i lartë Jeff Smith, e cilësoi këtë zhvillim si një hap vendimtar në një hetim tepër të ndërlikuar, duke theksuar se vendimi i viktimës për të bërë publik identitetin e saj erdhi pas konsultimeve të vazhdueshme me autoritetet dhe shërbimet mbështetëse.

Hetimet vijojnë ende, ndërsa policia u bën thirrje qytetarëve që disponojnë informacione të rëndësishme për rastin të bashkëpunojnë me autoritetet.

Ngjarja ka risjellë në vëmendje rastin e francezes Giselle Pélicot, e cila për një dekadë u drogua dhe u përdhunua në banesën e saj nga persona të rekrutuar në internet nga bashkëshorti i saj, Dominique Pélicot. Giselle Pélicot u shndërrua në një simbol ndërkombëtar të luftës kundër dhunës seksuale, duke refuzuar që gjyqi të zhvillohej me dyer të mbyllura dhe duke kërkuar që përgjegjësia të vendosej aty ku i takon – te autorët e krimit.