Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së martës në lagjen Višnjička Banja, në Beograd, ku një grua humbi jetën dhe katër persona të tjerë mbetën të plagosur, përfshirë bashkëshortin e saj, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sipas informacioneve të para nga mediat serbe, sulmi dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti mes tifozësh, ndërsa çifti që ndodhej në lokal nuk ishte objektivi kryesor i atentatorëve.
Viktima është identifikuar si D.V., 51 vjeçe, e cila humbi jetën në vendngjarje. Ekipet e emergjencës konstatuan vdekjen e saj në momentin që mbërritën në bar. Ndërkaq, katër persona të tjerë u plagosën nga të shtënat me armë zjarri: Lj.M. (42) dhe O.A. (59) u qëlluan në këmbë, ndërsa N.N. (33) dhe D.R. (29) ndodhen gjithashtu në Qendrën e Emergjencës në Beograd.
Dëshmitarët në vendngjarje kanë raportuar se rreth dhjetë personash dolën nga një furgon i bardhë dhe hapën zjarr ndaj një personi të caktuar brenda lokalit, por plumbat kanë kapur edhe të pranishmit e tjerë.
Autoritetet serbe kanë vënë në fuqi operacionin policor “Vihor 3” dhe janë në kërkim të një furgoni të bardhë dhe të paktën dy autorëve të dyshuar. Zona e Palilulës është bllokuar plotësisht nga policia, ndërsa në vendngjarje është gjetur edhe një armë zjarri.
Hetimet janë duke u drejtuar nga Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.