Një çift në Britani ka dalë para gjykatës i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre përdhunim, trafikim seksual dhe abuzim ndaj të rinjve, në një çështje që ka tronditur opinionin publik britanik.
Sipas mediave në Britani, 57-vjeçari Barry Druitt Barlow dhe partneri i tij 32-vjeçar Scott Hutchinson akuzohen se kanë shfrytëzuar seksualisht disa të rinj, të cilët dyshohet se janë afruar fillimisht nga çifti dhe më pas janë bërë viktima të abuzimeve.
Gjatë seancës gjyqësore, prokuroria pretendoi se të dyshuarit kishin “shënjestruar” të rinj, përfshirë edhe persona që nuk identifikoheshin si homoseksualë. Megjithatë, të dy të pandehurit kanë mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tyre.
Barry Barlow njihet në Britani si biznesmen dhe figurë publike. Ai është bërë i njohur edhe për faktin se konsiderohet ndër burrat e parë homoseksualë në vend që u bë baba përmes një nëne zëvendësuese. Sipas raportimeve, ai ka shtatë fëmijë dhe bashkë me partnerin është i përfshirë edhe në drejtimin e klubit të futbollit Maldon & Tiptree FC.
Hetimet nisën pas disa operacioneve policore në prona të lidhura me çiftin në zona të ndryshme të Britanisë, përfshirë kontrolle të kryera nga policia e Essex.
Autoritetet britanike bëjnë me dije se çështja po hetohet në bashkëpunim me Shërbimin e Prokurorisë së Kurorës, ndërsa procesi gjyqësor pritet të vijojë me seanca të tjera në ditët në vijim.
