Një ngjarje e rëndë ka tronditur Irlandën, ku një 43-vjeçare amerikane u gjet e pajetë në banesën e saj në qytetin Killarney.

Fillimisht u raportua se ajo kishte humbur jetën nga goditjet në kokë, por autopsia ka zbuluar se shkaku i vdekjes ishte mbytja nga asfiksia.

Viktima, Jamey Carney, u gjet e mbuluar me një batanije në dhomën e gjumit nga vajza e saj 13-vjeçare, e cila zbuloi trupin mëngjesin e së martës. Sipas mediave irlandeze, në trupin e saj u konstatuan edhe plagë të shumta në kokë, por ekzaminimi mjeko-ligjor përcaktoi se vdekja erdhi si pasojë e mbytjes.

Policia irlandeze ka nisur një hetim për vrasje dhe është në kërkim të partnerit të saj, 28-vjeçarit Ahmad Alsaqer, një azilkërkues me origjinë nga Lindja e Mesme, i cili dyshohet se është larguar nga Irlanda vetëm pak orë para se të zbulohej krimi.

Sipas hetimeve, Alsaqer dyshohet se udhëtoi fillimisht me autobus nga Killarney drejt Dublinit rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe më pas mund të ketë marrë një fluturim drejt Stambollit. Autoritetet irlandeze kanë lëshuar alarme në porte dhe aeroporte, ndërsa po bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë për lokalizimin e tij. Hetuesit dyshojnë se ai mund të jetë ndihmuar nga kontakte në Turqi, Siri dhe Jordani.

Jamey Carney ishte zhvendosur nga shteti i Nju Jorkut në Irlandë në vitin 2021 së bashku me vajzën e saj dhe punonte në një kompani konsulence në sektorin e shëndetësisë. Sipas mediave, ajo ishte njohur me Alsaqer rreth një vit e gjysmë më parë gjatë një proteste pro-palestineze.

Në rrjetet sociale, veçanërisht në Facebook, Carney publikonte shpesh postime dhe fotografi me mesazhin “Free Palestine”, ndërsa në disa prej tyre shfaqej edhe së bashku me partnerin e saj.

Familjarët e 43-vjeçares e kanë përshkruar atë si një grua me zemër të madhe dhe të përkushtuar ndaj kauzave humanitare. Ndërkohë, fqinjët kanë deklaruar se një natë para zbulimit të trupit kishin dëgjuar një debat të ashpër që vinte nga banesa e saj.

Top Channel