Një grua që kishte dalë për të shëtitur qenin është përballur me një skenë dramatike pasditen e së hënës në Cinisello Balsamo, në periferi të Milanos. Disa rënkime të dobëta që vinin nga një qese e lënë mes pemëve e shtynë të afrohej, duke zbuluar brenda saj një foshnjë të porsalindur.
Bëhej fjalë për një djalë, i cili ishte mbështjellë me një copë pëlhure dhe kishte ende placentën të lidhur. Gruaja lajmëroi menjëherë shërbimet e emergjencës, duke vënë në lëvizje ekipet mjekësore dhe policinë.
Ngjarja është regjistruar pasditen e 12 tetorit, në zonën mes rrugëve Monte Ortigara dhe Pasubio. Sipas raportimeve të mediave italiane, alarmi është dhënë rreth orës 16:15.
Në vend mbërritën ekipet e urgjencës 118, të cilat i dhanë foshnjës ndihmën e parë përpara se ta transportonin drejt Milanos.
I porsalinduri është dërguar me urgjencë në spitalin Niguarda, ku është marrë menjëherë nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij raportohet kritike dhe veçanërisht delikate.
Të dhënat e para të publikuara nga mediat lokale sugjerojnë se foshnja mund të kishte ardhur në jetë vetëm pak kohë përpara se të zbulohej. “MilanoToday” raporton se lindja dyshohet të ketë ndodhur rreth dy orë më herët.
Paralelisht me përpjekjet për t’i shpëtuar jetën të porsalindurit, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbuluar se kush e la atë në atë zonë dhe çfarë kishte ndodhur në orët që paraprinë gjetjen.
Policia e Cinisello Balsamos rrethoi vendin ku u gjet qesja dhe kreu veprimet e para hetimore. Në çështje janë angazhuar gjithashtu hetuesit e Policisë së Milanos.
Një nga objektivat kryesore të hetimit është identifikimi i personit që dyshohet se braktisi foshnjën, si dhe rindërtimi i itinerarit dhe rrethanave që çuan në ngjarje.
Për momentin nuk është bërë e ditur se kush është nëna e të porsalindurit dhe mbeten ende të paqarta shumë prej rrethanave të rastit. Hetimet e autoriteteve italiane vazhdojnë, ndërsa foshnja mbetet nën kujdes intensiv mjekësor.
