Një ngjarje e rëndë ka tronditur Australinë, pasi dy prindër dhe dy djemtë e tyre adoleshentë me autizëm janë gjetur të pajetë brenda banesës së tyre. Sipas mediave të huaja ngjarja ka ndodhur në qytetin Perth, ku trupat e pajetë të Jarrod Clune, 50 vjeç, Maiëenna Goasdoue, 49 vjeç, si dhe të djemve të tyre Leon, 16 vjeç dhe Otis, 14 vjeç, u gjetën në shtëpinë ku banonin. Të dy fëmijët vuanin nga autizëm i rëndë dhe ishin joverbalë.
Shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 08:15 të mëngjesit të së premtes nga një punonjëse kujdesi, e cila vizitonte rregullisht familjen, por nuk kishte arritur të kontaktonte me ta. Ajo gjeti pranë banesës një shënim paralajmërues që këshillonte të mos hynte brenda dhe udhëzonte që të njoftohej policia.
Brenda shtëpisë, policia gjeti të pajetë katër anëtarët e familjes, si edhe dy qentë dhe një mace. Autoritetet thanë se vdekjet nuk dukeshin të dhunshme dhe nuk janë përdorur armë, ndërsa trupat u gjetën në pjesë të ndryshme të banesës.
Të shtunën u zbulua edhe një shënim i dytë, që ndihmoi hetuesit të arrinin në përfundimin se bëhej fjalë për një vrasje të dyfishtë të ndjekur nga vetëvrasja. Sipas mediave lokale, letra përmbante edhe detaje mbi planifikimin e financave të familjes, duke sugjeruar se prindërit kishin vendosur t’i jepnin fund jetës së bashku.
Sipas policisë, të dy djemtë përballeshin me sfida serioze shëndetësore, ndërsa besohet se familja kishte humbur një pjesë të financimit shtetëror për mbështetjen e njërin prej fëmijëve me aftësi të kufizuara.


