Policia suedeze ka arrestuar një adoleshent pas një sulmi me armë zjarri në një sallon flokësh në qendër të qytetit Uppsala, që la tre të rinj të vdekur të martën. Autori i dyshuar, nën moshën 18 vjeç, është larguar nga vendngjarja me një skuter, sipas mediave ndërkombëtare.

Të tri viktimat janë të moshës mes 15 dhe 20 vjeç. Policia po heton mundësinë që ngjarja të jetë e lidhur me krimin e bandave, një fenomen që po përshkallëzohet në Suedi vitet e fundit, veçanërisht me përfshirjen e të miturve.

Në një konferencë shtypi të mërkurën, Ministri i Drejtësisë Gunnar Strömmer njoftoi se qeveria ka propozuar një ligj të ri që do t’i lejojë policisë të përgjojë edhe fëmijët nën 15 vjeç, pa qenë e nevojshme të ketë prova konkrete paraprake – një masë e re për të frenuar dhunën e bandave.