Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Turqi, ku një çift dhe dy fëmijë të vegjël kanë vdekur tragjikisht pasi janë helmuar nga ushqimi. Familja prej katër anëtarësh u sëmur rëndë në hotelin e tyre në Stamboll më 11 nëntor, vetëm dy ditë pasi kishin udhëtuar atje nga Hamburgu i Gjermanisë.

Të martën e kaluar, familja u nis për në lagjen Besiktas në verilindje të qytetit, ku provuan ushqimin e zakonshëm të rrugës, një pjatë me midhje të mbushura të servirura me limon.  Më vonë ata porositën një përzierje pjatash në një restorant vendas, duke përfshirë kebab, të bërë nga zorrët e viçit, dhe tavuk tantuni, një lloj pete me pulë. Familja më pas shijoi ëmbëlsira turke nga një dyqan në zonën e Fatihut përpara se të kthehej në hotelin e tyre.

Por menjëherë pas kësaj, fëmijët, Masal, tre vjeç dhe Kadir, gjashtë vjeç, filluan të vuajnë nga të përziera dhe të vjella ekstreme.  Nëna Cigdem Bocek, 27 vjeç, dhe babai Servet, 38 vjeç, i çuan me urgjencë në spital përpara se të shfaqnin të njëjtat simptoma. Familjarët u ankuan për të përziera, të vjella dhe marramendje dhe pas trajtimit në dy institucione të ndryshme mjekësore, prindërit dhe fëmijët u liruan nga spitali, sipas Bild.

Ata u kthyen në hotelin e tyre, por vetëm disa orë më vonë, gjendja e tyre u përkeqësua në mënyrë dramatike dhe nëna dhe dy fëmijët vdiqën të mërkurën. Serveti mbeti duke luftuar për jetën në spital, por ndërroi jetë të hënën.  

Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit ka nisur një hetim dhe ka arrestuar shtatë persona, përfshirë shitësit ambulantë.