Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e së hënës në Tajlandë, ku një turiste shqiptare ka humbur jetën në rrethana dramatike në ujërat e detit Andaman. Viktima është identifikuar si Daniela Idrizi, 41 vjeçe, nga Shqipëria.

Sipas informacioneve zyrtare të Policisë së Karonit, ajo kishte mbërritur në Phuket vetëm disa orë më parë së bashku me bashkëshortin e saj, Mohammed Abdulkhaliya Hamdi Alsaba, 43 vjeç, shtetas egjiptian. Çifti kishte planifikuar një pushim të shkurtër në rajonin turistik, nga data 10 deri më 12 qershor.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 16:00, kur ata kishin hyrë në det për të notuar në plazhin Karon, një prej destinacioneve më të njohura të ishullit. Vetëm dhjetë minuta më vonë, bashkëshorti i saj vuri re se Daniela ishte zhdukur në ujë dhe kërkoi ndihmë.

Rojet bregdetare ndërhynë menjëherë, dhe pas afro një ore kërkimesh, trupi i saj u gjet pa ndjenja. Viktima u transportua me urgjencë në Spitalin Chalong, ku mjekët bënë përpjekje për ta ringjallur, por pa sukses. Fatkeqësisht, ajo u shpall e vdekur pak pas mbërritjes në spital.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Dyshohet se mbytja ka ndodhur si pasojë e valëve të fuqishme dhe kushteve të paqëndrueshme në det në atë moment. Autoritetet bregdetare kishin lëshuar paralajmërime për rreziqet në plazh gjatë sezonit të reshjeve.

Lajmi për vdekjen e 41-vjeçares ka tronditur jo vetëm familjarët dhe bashkëshortin e saj, i cili ndodhet në gjendje të rëndë emocionale, por edhe komunitetin e turistëve në Phuket. Zyrtarët lokalë u kanë bërë thirrje vizitorëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë notit, veçanërisht në ditët me mot të paqëndrueshëm.