Tetë persona, mes tyre katër fëmijë, mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri gjatë festimeve të 4 Korrikut në Coney Island.
Sipas New York City Police Department, ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, kur një person i veshur me rroba të zeza dhe me fytyrë të mbuluar iu afrua një banese ku po zhvillohej një festë familjare dhe hapi zjarr drejt të pranishmëve.
Sulmuesi dyshohet se qëlloi disa herë nga afër gardhit të shtëpisë përgjatë Surf Avenue dhe më pas u largua me shpejtësi nga zona.
Policia konfirmoi se mes të plagosurve janë katër djem të moshave 6, 7, 12 dhe 14 vjeç, dy gra të reja dhe dy burra. Një 21-vjeçare dhe një 33-vjeçar u plagosën rëndë në pjesën e gjoksit, ndërsa një fëmijë 6-vjeçar mori plagë në bark. Të plagosurit e tjerë pësuan lëndime në këmbë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Kryebashkiaku i New York City, Zohran Mamdani, reagoi ashpër pas incidentit, duke deklaruar se dhuna me armë nuk do të tolerohet në qytet.
Ndërkohë, komisionerja e policisë Jessica Tisch bëri të ditur se gjatë festës nuk ishte raportuar asnjë konflikt apo debat, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e një lidhjeje me një vrasje të ndodhur javën e kaluar në të njëjtën zonë, e dyshuar si e lidhur me bandat kriminale.
Në vendngjarje autoritetet sekuestruan një armë të tipit TEC-9 dhe disa gëzhoja.
Një tjetër episod i armatosur u regjistrua pak orë më vonë në lagjen Crown Heights, ku një efektiv i policisë u qëllua gjatë përballjes me një 18-vjeçar të armatosur. Sipas autoriteteve, plumbi goditi jelekun antiplumb të policit, duke shmangur pasoja të rënda.
