Një person ka mbetur i vrarë dhe një efektiv policie është plagosur pas një shkëmbimi zjarri në qytetin Norresundby, në veri të Danimarkës.

Sipas policisë daneze, ngjarja nisi kur efektivët shkuan në një zonë industriale pas raportimeve për një zjarr në një ndërtesë. Menjëherë pas mbërritjes në vendngjarje, ata u përballën me të shtëna armësh nga një person i armatosur.

Policia iu kundërpërgjigj zjarrit, duke plagosur rëndë autorin e dyshuar, i cili u transportua në spital për trajtim mjekësor.

Gjatë përleshjes me armë, një civil u godit nga plumbat dhe humbi jetën, ndërsa një oficer policie mbeti i plagosur. Autoritetet bënë me dije se efektivi ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe gjendja e tij është e qëndrueshme.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe motivet që çuan në përplasjen me armë.