Një çështje e rëndë ka përfshirë familjen e Dukeshës së Sussex-it, Meghan Markle, pasi autoritetet në Filipine kanë nisur hetimet ndaj babait të saj, Thomas Markle, 82 vjeç, nën dyshimet për posedimin e materialeve që paraqesin abuzim seksual me fëmijë.

Ngjarja ka marrë vëmendje të gjerë ndërkombëtare, ndërsa në qendër të hetimeve janë vendosur materiale të dyshuara të zbuluara në ish-banesën e 82-vjeçarit në qytetin Cebu të Filipineve.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ishte djali i tij, Thomas Markle Jr., njëkohësisht gjysmëvëllai i Meghan Markle, ai që njoftoi autoritetet pasi pretendoi se kishte zbuluar fotografi dhe materiale të tjera shqetësuese mes sendeve personale të të atit.

Ministri i Brendshëm i Filipineve, Jonvic Remulla, ka konfirmuar se policia ka marrë materiale që konsiderohen të rëndësishme për hetimin, përfshirë edhe një kompjuter portativ, i cili po i nënshtrohet ekzaminimit.

Ndërkohë, zëvendësministri filipinas i Drejtësisë, Nicholas Ty, ka bërë të ditur se çështja po shqyrtohet nga strukturat e specializuara kundër trafikimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në internet.

Meghan Markle reagon: Jam thellësisht e tronditur

Pas publikimit të akuzave, Meghan Markle ka reaguar përmes një deklarate, duke shprehur shqetësimin e saj për informacionet që kanë dalë në dritë.

Dukesha e Sussex-it ka zbuluar se ishte njohur me pretendime shqetësuese për babanë e saj që në vitin 2018, kur një letër me akuza ishte dërguar pranë autoriteteve britanike.

Sipas saj, pikërisht shqetësimet për sigurinë e familjes kishin ndikuar në vendimin për të ndërprerë marrëdhëniet me të atin dhe për të mos lejuar kontakte mes tij dhe fëmijëve të saj, Archie dhe Lilibet.

Meghan ka theksuar se përparësia duhet të mbetet mbrojtja e fëmijëve që mund të jenë dëmtuar dhe zbardhja e plotë e së vërtetës.

Babai i Dukeshës mohon kategorikisht akuzat

Nga ana tjetër, Thomas Markle ka hedhur poshtë pretendimet, duke i cilësuar ato të pavërteta dhe thellësisht fyese.

Në deklarimet e raportuara nga mediat britanike, 82-vjeçari është shprehur i tronditur nga akuzat e ngritura prej djalit të tij, duke mohuar çdo përfshirje në veprimtaritë për të cilat po hetohet.

Çështja ka tërhequr edhe vëmendjen e autoriteteve amerikane. FBI ka konfirmuar se është në dijeni të pretendimeve dhe se do të bashkëpunojë me institucionet filipinase, nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Hetuesit pritet të analizojnë materialet e sekuestruara për të përcaktuar origjinën e tyre dhe nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.

Ndërkohë, zhvillimet kanë rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhënien e tensionuar prej vitesh mes Meghan Markle dhe babait të saj.

Autoritetet nuk kanë shpallur ende përfundime mbi përgjegjësinë e Thomas Markle, ndërsa akuzat ndaj tij mbeten të paprovuara deri në përfundimin e hetimeve dhe një vendim eventual të drejtësisë.