Gjykata më e lartë kundër korrupsionit në Ukrainë ka urdhëruar arrestimin e ish-shefit të kabinetit të presidentit Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, mbi dyshimet për përfshirje në një skemë të pastrimit të parave, raporton Reuters.

Vendimi është marrë të enjten, ndërsa gjykata ka caktuar edhe një garanci lirimi me kusht në vlerën e 140 milionë hryvnias, rreth 3.19 milionë dollarë, duke i hapur mundësinë Yermakut të lirohet përkohësisht deri në vendimin përfundimtar të çështjes.

Yermak, i cili për pesë vite konsiderohej një nga njerëzit më të afërt të presidentit ukrainas dhe një figurë kyçe në komunikimet me Shtetet e Bashkuara, kishte dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit të kaluar mes polemikave të shumta për ndikimin e tij të madh në strukturën e pushtetit në Kiev. Largimi i tij erdhi në një periudhë tensionesh të brendshme politike dhe hetimesh që lidhen me një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit gjatë mandatit të Zelensky-t, ku zyrtarë të lartë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë janë përfshirë në akuza për përvetësim mbi 100 milionë dollarë në sektorin e energjisë.

Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) ka konfirmuar më herët se kontrollet në rezidencën e Yermakut janë kryer me miratim të prokurorisë kompetente, ndërsa në operacion ka marrë pjesë edhe Zyra e Prokurorit Special Kundër Korrupsionit (SAP).