Një ngjarje e pazakontë ka habitur banorët e një fshati në Indi. Një 74-vjeçar, ish-ushtarak i Forcave Ajrore, ka inskenuar vdekjen e tij, vetëm për të zbuluar kush do të vinte në funeralin e tij.
Mohan Lal, nga fshati Konchi në rajonin Gaya, e ktheu këtë ide në një “eksperiment social” që la të gjithë pa fjalë. Ai u mbështoll me një çarçaf të bardhë, u shtrua mbi një vig të zbukuruar me lule, ndërsa familjarët e tij shpallën “vdekjen” nëpër fshat.
Brenda pak orësh, qindra banorë u mblodhën për ta nderuar, duke recituar lutje tradicionale dhe duke e shoqëruar procesionin deri në vendin e kremacionit. Por në momentin më dramatik, Mohan u “ringjall” – u ngrit nga vigu dhe u shfaq para të gjithëve i gjallë e buzëqeshur.
“Isha kurioz të shihja sa njerëz më donin dhe më respektonin sa isha ende gjallë,” tha ai për mediat lokale.
Pas kësaj, 74-vjeçari dogji një kukull simbolike në vend të trupit të tij dhe organizoi një festë të madhe për të gjithë të pranishmit.
Në fakt, Mohan kishte përdorur pensionin e tij për të ndërtuar një qendër moderne kremacionesh në fshat, pasi gjatë stinës së shirave banorët kishin vuajtur për të kryer ceremonitë tradicionale.
“Ky ishte një mesazh për të gjithë: tregoni dashurinë dhe respektin ndaj njerëzve sa janë gjallë, jo pasi të kenë ndërruar jetë,” tha ai me qetësi.