Një ngjarje e rëndë ka tronditur Australinë, ku një grua 32-vjeçare akuzohet se ka vrarë djalin e saj 4-vjeçar dhe ka konsumuar pjesë të trupit të tij.

Sipas mediave australiane, gruaja u paraqit të shtunën në një komisariat policie në Wyong, të shtetit New South Wales, ku dyshohet se u tha efektivëve se kishte konsumuar pjesë të trupit të fëmijës së saj. Pas deklaratës së saj, policia shkoi në apartamentin ku jetonin nënë e bir dhe gjeti trupin e pajetë të katërvjeçarit me plagë të rënda në duar. Hetimet paraprake tregojnë se fëmija kishte ndërruar jetë disa ditë përpara se autoritetet të njoftoheshin.

Familja ishte zhvendosur në zonë rreth pesë muaj më parë, me synimin për t’i shpëtuar një situate të dhunës në familje. Megjithatë, shërbimet sociale kishin monitoruar rastin prej të paktën një viti për shkak të shqetësimeve lidhur me gjendjen mendore të nënës dhe dyshimeve për përdorim të substancave narkotike. Ndërhyrja e fundit e autoriteteve sociale ishte në muajin janar, kur u vlerësua nëse fëmija ndodhej në rrezik serioz neglizhence. Sipas raportimeve, nuk u gjetën prova të mjaftueshme që të justifikonin largimin e fëmijës nga kujdestaria e nënës, ndaj ai vijoi të jetonte me të deri në ditën e vdekjes.

Mediat australiane raportojnë se shqetësimet për familjen ishin ngritur që në fillim të vitit 2024, pasi një i afërm kishte njoftuar autoritetet për gjendjen e fëmijës. Në atë kohë, u raportuan dyshime për përdorim substancash dhe episode psikotike të nënës, e cila u referua në një program të ndërhyrjes së hershme.