Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka tërhequr sërish vëmendjen me një propozim për ndryshimin e një emërtimi. Këtë herë, në shënjestër ishte shteti amerikan i Nju Meksikos, të cilin ai e paraqiti si “Amerika e Re”.
Në llogarinë e tij në Truth Social, Trump shpërndau një hartë ku fjala “Meksikë” ishte mbuluar me një kryq të madh të kuq dhe ishte zëvendësuar me “Amerikë”. Në këtë mënyrë, emri i shtetit shfaqej i ndryshuar nga “New Mexico” në “New America”.
Publikimi u bë gjatë një aktiviteti intensiv të presidentit në rrjetin social. Brenda më pak se 60 minutash, ai postoi 34 herë, duke trajtuar çështje që shkonin nga lufta me Iranin dhe situata ekonomike në SHBA, deri te zhvillimet elektorale në Gjermani.
Harta u shpërnda më pas edhe nga profili zyrtar i Shtëpisë së Bardhë në platformën X. Publikimi nuk u shoqërua me shpjegime dhe administrata amerikane nuk ka bërë të ditur nëse ekziston ndonjë procedurë konkrete për riemërtimin e Nju Meksikos.
Një ndryshim i tillë nuk mund të realizohet vetëm me vendim të presidentit. Ndryshe nga disa emërtime gjeografike, të cilat administrata mund t’i ndryshojë për përdorim në institucionet federale, emri i një shteti nuk mund të zëvendësohet në mënyrë të njëanshme nga Shtëpia e Bardhë.
Nuk është nisma e parë e këtij lloji
Ideja për “Amerikën e Re” pason vendime të tjera të Trumpit që lidhen me ndryshimin e emrave të vendeve dhe hapësirave gjeografike.
Pas marrjes së detyrës në janar 2025, ai firmosi një urdhër ekzekutiv që përcaktonte përdorimin e emrit “Gjiri i Amerikës” nga institucionet federale, në vend të “Gjirit të Meksikës”.
Një tjetër urdhër u nënshkrua më 27 gusht 2026 për përdorimin federal të emërtimit “Liqeni Amerika” në vend të Liqenit Ontario. Vendimi erdhi në një periudhë tensionesh tregtare ndërmjet Uashingtonit dhe Otavës.
Nga Hulk Hogan te harta e Iranit
Mes dhjetëra postimeve të publikuara të dielën ishte edhe një fotomontazh ku fytyra e Trumpit ishte vendosur mbi trupin e ish-mundësit Hulk Hogan. Në imazh shfaqej gjithashtu një shami me sloganin “MAGA”.
Në një tjetër ilustrim, kufijtë e Iranit ishin përpunuar në mënyrë që të krijonin profilin e fytyrës së presidentit amerikan. Postimi u publikua ndërsa përplasja ushtarake me Teheranin ka kaluar gjashtë muaj.
Trump shpërndau gjithashtu disa materiale grafike që, sipas tij, pasqyrojnë rezultatet ekonomike të administratës. Në një publikim tjetër ai paraqiti një parashikim për rezultatin e AfD-së në zgjedhjet e landit gjerman të Saksoni-Anhaltit, por pa dhënë ndonjë koment shpjegues.
