Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se lëvizja e anijeve në Ngushticën e Hormuzit po rikthehet gradualisht në normalitet, pas tensioneve të fundit në rajon.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump bëri të ditur se anijet kanë nisur të largohen nga ngushtica duke përdorur kalimin jugor, të cilin e konsideroi të sigurt për lundrim.

Sipas presidentit amerikan, një pjesë e madhe e mjeteve detare që po kalojnë në këtë korridor janë të ngarkuara me naftë, ndërsa për qarkullimin detar mbeten të disponueshme edhe korsi të tjera lundrimi.

Deklarata e Trump vjen në një moment të ndjeshëm për rajonin, teksa raportohen zhvillime diplomatike mes SHBA-së dhe Iranit, me përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që synon t’i japë fund përshkallëzimit të konfliktit dhe të ulë tensionet në Lindjen e Mesme.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më strategjike të transportit detar në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e tregtisë globale të naftës.