Të enjten, në Seul, Donald Trump dhe Xi Jinping do të takohen për herë të parë pas disa vitesh, në kuadër të samitit APEC.
Takimi shihet si një mundësi për t’i dhënë fund muajve të pasigurisë ekonomike globale, sipas raportimit të korrespondentes së lartë për Kinën në The Guardian, Amy Hawkins.
Takimi – i pari mes dy liderëve që prej vitit 2019 – vjen në një moment të tensionuar, pas përshkallëzimeve të reja rreth çështjeve të teknologjisë, tarifave dhe balancës tregtare.
Zyrtarë nga të dyja palët kanë zhvilluar negociata paraprake për të përcaktuar bazat e një marrëveshjeje tregtare që mund të stabilizojë ekonominë globale.
Në bordin e “Air Force One”, Trump u shfaq optimist: “Mendoj se do të kemi një takim të shkëlqyer me presidentin Xi të Kinës, dhe shumë probleme do të zgjidhen”, tha ai, duke shtuar se çështja e Tajvanit mund të mos jetë pjesë e diskutimit.
Tema të tjera të nxehta në agjendë përfshijnë mineralet e rralla – një fushë ku Kina mban dominimin global, duke kontrolluar rreth 70 për qind të nxjerrjes dhe mbi 90 për qind të përpunimit botëror.
Pekini ka kufizuar së fundmi eksportet e këtyre mineraleve për arsye “sigurie kombëtare”, një lëvizje që pasoi ndalimet e reja amerikane për eksportin e teknologjisë së avancuar të gjysmëpërçuesve drejt Kinës.
Sipas The Guardian, në bisedimet paraprake në Kuala Lumpur, palët kanë sinjalizuar një marrëveshje të përkohshme: Pekini mund të shtyjë për një vit zbatimin e kufizimeve të reja, ndërsa Washingtoni do të pezullonte kufizimet për eksportet e çipave – një kompromis që do të ndihmonte të dyja ekonomitë, pavarësisht kundërshtimeve të “skifterëve” në Washington.
Trump, nga ana e tij, po përpiqet të diversifikojë furnizimin me minerale të rralla.
Vetëm një ditë më parë, ai nënshkroi me kryeministren japoneze Sanae Takaichi një marrëveshje për bashkëpunim në sigurimin e përbashkët të këtyre mineraleve.
Ndërkohë, Kina po thellon lidhjet tregtare me vendet e ASEAN-it, që tashmë përbëjnë partnerin më të madh tregtar të saj, me një volum prej 771 miliardë dollarësh vitin e kaluar – më shumë se tregtia me SHBA-të.
Në sfond qëndron ende kërcënimi i një lufte të re tregtare, me tarifa që më herët këtë vit u ngjitën deri në 130 për qind.
Aktualisht, mesatarja e tarifave kineze ndaj mallrave amerikane është 32.6 për qind, ndërsa ajo amerikane ndaj mallrave kineze 57.6 për qind, sipas Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare.
Analistët, si Bonnie Glaser nga German Marshall Fund, vlerësojnë se të dy liderët duan të shmangin përshkallëzimin, ndërsa Feng Chucheng nga Hutong Research në Pekin shton se në SHBA po rritet ndjenja se “bashkëjetesa e ndërsjellë mund të jetë më e dobishme se konfrontimi”.
Sipas The Guardian, përveç çështjeve tregtare, Trump dhe Xi pritet të diskutojnë bashkëpunimin kundër trafikut të fentanilit dhe finalizimin e marrëveshjes për TikTok.
Megjithatë, rezultati më i rëndësishëm i samitit mund të jetë rivendosja e dialogut konstruktiv midis dy udhëheqësve më të fuqishëm të botës.
