Nëse Donald Trump do të shpallej fitues i Çmimit Nobel për Paqe, do të shënonte ndoshta kapitullin më të debatueshëm në historinë e këtij çmimi. Me njoftimin zyrtar që pritet nesër në mëngjes, diskutimet kanë nisur më herët se zakonisht dhe emri i Trump-it ka ndezur zjarrin.

Nuk është hera e parë që Çmimi Nobel për Paqe shoqërohet me kritika. Mjafton të kujtojmë Theodore Roosevelt-in, një ndërmjetës i paqes që njëkohësisht predikonte ekspansionizëm me filozofinë “shkopi i madh”; apo Henry Kissinger-in, i cili mori çmimin për fundin e Luftës në Vietnam, një paqe që zgjati vetëm disa muaj; pa harruar Barack Obamën, që e fitoi vetëm nëntë muaj pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa luftërat në Afganistan dhe sulmet me dron vijonin.

Por nëse e gjithë kjo histori çmimesh ka qenë një teatër me polemika dhe politika të mbështjella me fjali të bukura, një çmim për Donald Trump do të ishte kulmi i paradoksit. Një president që ka ndarë më shumë sesa ka bashkuar, me një reputacion të diskutueshëm në politikën ndërkombëtare dhe me një retorikë shpesh përçarëse, ka gjasa të kthehet në fituesin më polemik në historinë e Nobelit për Paqe madje duke tejkaluar edhe vetë Kissinger-in.

Komiteti norvegjez ka befasuar edhe më parë, por mbetet për t’u parë nëse këtë herë do të guxojë të japë çmimin më të debatueshëm ndonjëherë. Dhe nëse ndodh, bota nuk do të mjaftohet me pyetjen “Pse?”, por do të shpërthejë në një stuhi reagimesh që mund të tronditin jo vetëm opinionin publik, por edhe vetë prestigjin e Nobelit.