Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli nuk ka pranuar draftin e marrëveshjes së propozuar nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump për çarmatosjen e Hamasit dhe demilitarizimin e Rripit të Gazës. Lideri izraelit tha se ekipi i Trumpit beson se mund ta bindë Hamasin të heqë dorë nga armët dhe të çmilitarizojë Gazën, por theksoi se propozimi i paraqitur nuk përfaqëson qëndrimin e Izraelit.
“Na dërguan një draft, por ne nuk u pajtuam me të. Ky nuk është drafti ynë. Ne dërguam komentet tona”, deklaroi ai.
Netanyahu shtoi se komentet izraelite ishin dorëzuar para se të niste debati publik dhe fushata mediatike rreth kësaj çështjeje. Ai theksoi se Izraeli do të vazhdojë të mbrojë interesat e tij “me mençuri dhe vendosmëri”, duke lënë të kuptohet se çdo marrëveshje e ardhshme do të duhet të përputhet me kërkesat e qeverisë së tij.
Trump kishte njoftuar ditë më parë se pas çarmatosjes së Hamasit, forcat izraelite do të tërhiqen nga territori palestinez. Lideri amerikan e kishte cilësuar marrëveshjen si një “hap historik” drejt paqes dhe sigurisë, duke bërë të ditur se zbatimi i saj do të zhvillohet në faza të mirëpërcaktuara.
