Në një fitore historike që po quhet një “tërmet politik”, Zohran Mamdani, 34-vjeçar dhe anëtar i krahut socialist të demokratëve, është zgjedhur kryebashkiak i qytetit të Nju Jorkut, duke u bërë myslimani i parë në krye të qytetit më të madh të SHBA-së.

Mamdani, i cili përfaqëson lagjen Queens, mposhti ish-guvernatorin Andrew Cuomo dhe republikanin Curtis Sliwa, duke marrë mbi 50 për qind të votave.

Në fjalimin e tij të fitores në Teatrin Paramount në Brooklyn, Mamdani u shpreh:

“Unë jam mysliman. Unë jam socialist demokrat. Dhe më e keqja nga të gjitha, unë refuzoj të kërkoj falje për asgjë nga kjo.”

Duke iu drejtuar presidentit Donald Trump, i cili e kishte quajtur “komunist”, ai shtoi me sfidë:

“Donald Trump, meqë e di që po më shikon, kam disa fjalë për ty: rrit volumin!”

Mamdani premtoi një “agim të ri” për Nju Jorkun, me politika si transport publik falas, taksa më të larta për të pasurit, ulje të qirasë dhe më pak polici.

Fitorja e tij ka ngjallur reagime të forta: përkrahësit e shohin si fillimin e një epoke progresive, ndërsa kritikët përfshirë Wall Street paralajmërojnë për një eksod të të pasurve dhe pasoja të rënda ekonomike për qytetin.

Pavarësisht polemikave, Mamdani e përmbylli fjalimin me optimizëm:

“Sonte kemi folur qartë, shpresa është gjallë. Nju Jorku do të jetë drita në këtë moment errësire politike.”