Kryeministri britanik Keir Starmer është përballur me një moment të sikletshëm në skenën ndërkombëtare, pasi përpjekja e tij për të marrë vëmendje gjatë samitit për Gazën në Sharm el-Sheikh përfundoi në një “heshtje poshtëruese”, nën hijen e Donald Trumpit.

Ndërsa presidenti amerikan dominonte skenën me deklarata të zgjatura, komplimente për liderë si Giorgia Meloni dhe një atmosferë aspak formale, Starmer u pa duke u endur në sfond i pavërejtur dhe pa fjalë.

Kur Trump më në fund përmendi “Mbretërinë e Bashkuar” dhe e ftoi në skenë, Starmer reagoi me një ngritje dore të ndrojtur dhe një batutë: “Pas teje, si zakonisht.” Por momenti që mund të kishte qenë i tij, u mbyll pa lavdi Trump i ktheu shpinën dhe vazhdoi fjalimin, duke e lënë kryeministrin britanik në pozicion të pakëndshëm.

Më vonë, Starmer u përpoq të shpëtonte çfarë mundej nga situata, duke postuar në “X” një foto të shtrëngimit të dorës me Trumpin, të shoqëruar me një mesazh përkrahës për planin e paqes:

“President Trump, kjo është arritja juaj. Ju falënderoj për përpjekjet tuaja të palodhura… Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbështesë një zbatim të plotë të planit të paqes.”

Por reagimet në Londër nuk ishin aq dashamirëse. Kritikët e krahasuan Starmerin me ish-futbollistin John Terry, që u vesh me uniformë për të ngritur trofeun, edhe pse nuk luajti në finale. Të tjerë e akuzuan për udhëtim thjesht për një “foto-op” politike, sidomos pas kritikave që mori muaj më parë për njohjen e Palestinës si shtet.

Për më tepër, roli i Tony Blair në një bord të propozuar për qeverisjen e ardhshme të Gazës i shtoi edhe më shumë tensione pozicionimit britanik në proces, me Starmerin që shmangu të konfirmonte nëse Blair do të ishte zyrtarisht pjesë e strukturës.

Ndërsa Trump shijoi momentin dhe dominimin mediatik, Keir Starmer doli nga samiti më shumë i sfiduar sesa i forcuar një kujtesë se diplomacia ndërkombëtare nuk i fal ngathtësitë në skenë, sidomos kur përballë ke një showman si Donald Trump.