Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, feston këtë të shtunë 80-vjetorin e lindjes me një event të pazakontë në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, ku do të organizohet një spektakël i madh i arteve marciale të përziera (MMA), i titulluar “UFC Freedom 250”.

Aktiviteti zhvillohet në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së dhe do të mbahet në hapësirat e jashtme të Shtëpisë së Bardhë. Në program janë parashikuar ndeshje mes luftëtarëve të njohur të UFC-së, të zhvilluara në kafazin karakteristik tetëkëndor të këtij sporti.

Organizatorët kanë njoftuar se eventi do të shoqërohet edhe me banda ushtarake, demonstrime ajrore me avionë luftarakë, parashutistë dhe një shfaqje të madhe fishekzjarresh. Për publikun do të vendosen gjithashtu ekrane gjigante në zonën e National Mall në Uashington.

Sipas mediave amerikane, kostoja e aktivitetit arrin në rreth 60 milionë dollarë, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se shpenzimet nuk do të mbulohen nga taksapaguesit amerikanë.

Në event pritet të marrin pjesë edhe emra të njohur të MMA-së, mes tyre Michael Chandler dhe Cyril Gane, të cilët kanë theksuar se pjesëmarrja e tyre ka karakter ekskluzivisht sportiv.

Megjithatë, organizimi i një spektakli të tillë në Shtëpinë e Bardhë ka shkaktuar debate dhe reagime të shumta. Kritikët e konsiderojnë të papërshtatshëm zhvillimin e një eventi të tillë në simbolin kryesor institucional të SHBA-së, veçanërisht në një periudhë sfidash ekonomike dhe tensionesh ndërkombëtare.

Pavarësisht kundërshtimeve dhe përpjekjeve për ta ndalur, një gjykatë amerikane refuzoi kërkesat për bllokimin e aktivitetit, duke i hapur rrugë zhvillimit të një prej eventeve më të pazakonta të organizuara ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë.