Presidenti Donald Trump paralajmëron se do të deklasifikojë çdo dosje të mbetur nga vrasjet e Presidentit John F. Kennedy, vëllait të tij Robert Kennedy dhe liderit të të drejtave civile Martin Luther King Jr., të ndodhura gjashtë dekada më parë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, në ditën e tij të tretë nënshkroi një urdhër ekzekutiv në Shtëpinë e Bardhë. Në lidhje me këtë në një deklaratë të shpërndarë për mediat, familja e Martin Luther King Jr. tha:
“Sot, familja jonë ka mësuar se Presidenti Trump ka urdhëruar deklasifikimin e dosjeve që lidhen me vrasjet e Presidentit John F. Kennedy, vëllait të tij Robert F. Kennedy dhe babait tonë, Rev. Dr. Martin Luther King Jr.”
“Për ne, vrasja e babait tonë është një humbje shumë personale që kemi duruar gjatë këtyre 56 viteve. Ne shpresojmë të kemi mundësinë të shqyrtojmë dosjet si një familje, para se ato të bëhen publike.”
Në 4 prill të vitit 1968, Martin Luther King Jr. u vra nga James Earl Ray teksa qëndronte në një balkon të katit të dytë të një hoteli në Memphis. Pavarësisht se vrasja ndodhi pothuajse 60 vjet më parë, familja e King ka vazhduar të kërkojë përgjigje në lidhje me vdekjen e tij.
Ky vendim i Presidentit Trump ka prekur edhe familjen e Presidentit John F. Kennedy, pasi ai ka njoftuar planet për të nxjerrë në pah dosjet e klasifikuara që lidhen me vrasjen e presidentit të 35-të të SHBA-së. JFK u qëllua për vdekje në vitin 1963 ndërsa po kalonte nëpër Dallas, Texas, një ngjarje që ka frymëzuar shumë teori konspirative gjatë viteve.
Pa dyshim, ky ka qenë një fillim shumë i ngarkuar për Donald Trump në mandatin e tij të dytë si president i Shteteve të Bashkuara. Deklaratat dhe urdhrat ekzekutivë që ka nënshkruar, si dhe vendimi për të deklasifikuar dosjet lidhur me vrasjet e këtyre figurave historike, kanë sjellë një mori reagimesh dhe shqetësimesh, duke ngjallur më shumë debate dhe diskutime mbi përpjekjet e tij për të hapur këto çështje të ndjeshme.




