Konservatori Nasri Asfoura, i cili u mbështet publikisht nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, është fituesi i zgjedhjeve të ngushta presidenciale të 30 nëntorit në Honduras, njoftoi sot Këshilli Kombëtar Zgjedhor, pas javësh vonesash, problemesh teknike dhe akuzash për mashtrim.

Sipas njoftimit, 67-vjeçari Asfoura siguroi 40.3% të votave, duke mposhtur kandidatin liberal Salvador Nasralla i cili mori 39.5%.

“Populli honduras ka folur: Nasri Asfoura është presidenti i ardhshëm i Hondurasit. Shtetet e Bashkuara përgëzojnë presidentin e zgjedhur dhe mezi presin të punojnë me administratën e tij për të promovuar prosperitetin dhe sigurinë në hemisferën tonë”, shkroi Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio në X.

Zgjedhjet ishin jashtëzakonisht të paqëndrueshme dhe procesi i numërimit tejet kaotik. Numërimi i votave u ndal dhe u rifillua vazhdimisht, mes një klime mosbesimi dhe akuzash të ndërsjella për mashtrim. Numërimi iu besua një kompanie private, e cila përmendi probleme teknike, duke përkeqësuar dyshimin.

Donald Trump fali mentorin e Asfourës, ish-presidentin e Hondurasit Juan Orlando Hernandez (2014-2022), në prag të zgjedhjeve, i cili po vuante një dënim me 45 vjet burg në Shtetet e Bashkuara për trafik droge. Presidenti amerikan kishte kërcënuar se do të kishte “pasoja” për Hondurasin nëse Nasri Asfura nuk do të fitonte.

Top Channel