Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dyshohet se ka ndërhyrë personalisht për të rikthyer në fushë sulmuesin amerikan Folarin Balogun, pas kartonit të kuq që ai mori në Kupën e Botës.

Sipas raportimeve të mediave amerikane si The Wall Street Journal dhe New York Post, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe drejtues të Federatës Amerikane të Futbollit zhvilluan një fushatë intensive për të kundërshtuar pezullimin e lojtarit.

Balogun ishte ndëshkuar me karton të kuq gjatë ndeshjes ndaj Bosnjë-Hercegovinës, pasi sistemi VAR e konsideroi të rëndë një ndërhyrje ndaj mbrojtësit Tarik Muharemovic. Fillimisht gjyqtari nuk dha karton, por pas rishikimit me VAR, sulmuesi amerikan u përjashtua nga loja.

Sipas raportimeve, pas ndeshjes në Shtëpinë e Bardhë pati shqetësim se mungesa e Balogun do të dëmtonte shanset e SHBA-së në fazën me eliminim direkt. Trump mësohet se ka kërkuar nga ndihmësit e tij të gjenin mënyra për të kundërshtuar vendimin, ndërsa Federata Amerikane e Futbollit përgatiti edhe një ankesë ligjore ndaj FIFA-s.

Mediat amerikane raportojnë se Trump kontaktoi personalisht presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke i kërkuar rishikimin e pezullimit.

Pak ditë më vonë, FIFA njoftoi se pezullimi i Balogun ishte hequr dhe lojtari do të ishte i gatshëm për ndeshjen ndaj Belgjikës. Vendimi u mor nga komiteti disiplinor i FIFA-s në bazë të një rregulloreje që lejon rishikimin e sanksioneve.

Pas këtij zhvillimi, Trump reagoi në rrjetet sociale duke falënderuar FIFA-n për atë që e quajti “korrigjim të një padrejtësie”.

Vendimi ka shkaktuar polemika të shumta në botën e futbollit. Federata belge e futbollit shprehu habi për ndryshimin e vendimit, ndërsa trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, e krahasoi situatën me “një shaka të 1 prillit”.

Edhe trajneri i Norvegjisë, Ståle Solbakken, kritikoi ashpër FIFA-n, duke deklaruar se ky vendim mund të dëmtojë besueshmërinë e Kupës së Botës.

Nga ana tjetër, trajneri i SHBA-së, Mauricio Pochettino, tha se nuk kishte qenë pjesë e përpjekjeve për të rrëzuar pezullimin, por shtoi se mendonte që ndërhyrja e Balogun nuk meritonte karton të kuq.

Edhe kapiteni amerikan Christian Pulisic mbështeti vendimin, duke deklaruar se sulmuesi nuk kishte pasur qëllim të dëmtonte kundërshtarin dhe se meritonte të luante në ndeshjen ndaj Belgjikës.