Donald Trump deklaroi se administrata e tij po rishikon qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për Ishujt Falkland, një territor ky i administruar nga Britania e Madhe dhe i pretenduar nga Argjentina. 

I pyetur në Zyrën Ovale për qëndrimin e Uashingtonit mbi sovranitetin e ishujve, Trump u përgjigj se ai “gjithmonë e rishikon çdo qëndrim”, duke shtuar se kjo është vetëm njëra nga shumë çështje që po shqyrtohen.

Presidenti amerikan, megjithatë, nuk dha detaje se çfarë mund të ndryshojë konkretisht në politikën e Uashingtonit. Shtetet e Bashkuara tradicionalisht kanë shmangur marrjen e njëanshme të qëndrimit në mosmarrëveshjen mes Britanisë dhe Argjentinës për Falklandet, që nga lufta e vitit 1982.

Argjentina, e cila i quan ishujt “Islas Malvinas”, vazhdon të kërkojë sovranitetin mbi këtë territor. Dhe me sa duket, tani shikon një mundësi më shumë për të arritur qëllimin e saj, duke qenë se presidenti argjentinas Javier Milei konsiderohet një aleat i afërt i Donald Trumpit.

Çështja ka marrë edhe një dimension më të gjerë gjeopolitik. Një ndryshim i mundshëm i politikës amerikane ndaj Falkland ishte përfshirë më herët këtë vit në disa skenarë të shqyrtuar nga Pentagoni, në kuadër të presionit ndaj aleatëve të NATO-s për mbështetjen e operacioneve ushtarake amerikane gjatë konfliktit me Iranin.

Megjithatë, Trump nuk ka sinjalizuar nëse rishikimi do të çojë në një ndryshim konkret të politikës amerikane. Mosmarrëveshja për ishujt Falkland mbetet një nga çështjet më të ndjeshme territoriale mes Anglisë dhe Argjentinës.

Në vitin 1982, dy vendet u përfshinë në një luftë për kontrollin e ishujve, e cila përfundoi me fitoren e Britanisë së Madhe.