Presidenti amerikan Donald Trump raportohet se po favorizon zëvendëspresidentin JD Vance si një nga figurat kryesore që mund të udhëheqë Partinë Republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Sipas një raportimi të “The Washington Post”, Trump ka folur në një takim privat me donatorë në Zyrën Ovale për mundësinë që Vance të jetë kandidati i tij i preferuar për të vijuar projektin politik republikan pas mandatit të tij.

“Duhet të zgjedhim JD-në”, mësohet të ketë deklaruar Trump gjatë takimit, sipas personave të njohur me diskutimin.

Megjithatë, presidenti amerikan nuk ka dhënë ende një mbështetje zyrtare për asnjë kandidat. Përveç Vance, Trump ka përmendur edhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio si një emër potencial për garën e ardhshme.

Burime pranë administratës amerikane bëjnë të ditur se Trump është bërë më i hapur ndaj kandidaturës së Vance pas paraqitjeve të tij publike dhe rritjes së profilit politik, por theksojnë se vendimi përfundimtar ende nuk është marrë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se është herët të thuhet se çështja është mbyllur, duke shtuar se kushdo që mendon se Trump ka marrë një vendim përfundimtar mund të jetë duke e ekzagjeruar situatën.

Sipas raportimeve, Trump ka diskutuar privatisht edhe një përballje të mundshme mes JD Vance dhe Marco Rubio për të ardhmen e Partisë Republikane. Ai mësohet se ka kërkuar mendime nga bashkëpunëtorët e tij për një garë të mundshme mes dy figurave gjatë një udhëtimi me avionin presidencial Marine One.

Edhe persona të tjerë nga rrethi politik i Trumpit kanë paralajmëruar se është ende shumë herët për të përcaktuar kandidatin që do të ketë mbështetjen përfundimtare në vitin 2028.

Një nga këshilltarët e tij pretendon se Trump e sheh privatisht Vance si figurën që mund të trashëgojë udhëheqjen e kampit republikan, por mbetet e paqartë nëse kjo do të shndërrohet në një mbështetje publike gjatë fushatës së ardhshme.