Shtetet e Bashkuara kanë nisur një operacion për të kapur një anije cisternë të Venezuelës, e cila ka qenë nën ndjekje për më shumë se dy javë nëpër Atlantik.

Tankeri, i njohur më parë si Bella-1 dhe tani nën flamurin rus me emrin Marinera, është nën sanksione amerikane që nga viti 2024 për rolin e tij në transportimin e naftës së paligjshme.

Operacioni, i udhëhequr nga US Coast Guard dhe forcat amerikane, ka nisur pas refuzimit të ekuipazhit të anijes për t’u ndaluar kur shërbimet e sigurisë përpiqeshin ta kapnin në ujërat e Karaibeve. Dëshmitë sugjerojnë se anije ushtarake ruse, përfshirë një submarin, kanë qenë pranë zonës gjatë operacionit, çka mund të shkaktojë tensione të reja mes Uashingtonit dhe Moskës.

Ky operacion është pjesë e strategjisë më të gjerë të Shteteve të Bashkuara për të zbatuar sanksionet ndaj Venezuelës dhe për të frenuar aktivitetet e flotës sekrete, e njohur si “shadow fleet”, e cila mundëson shmangien e kontrollit ndërkombëtar dhe ndalimeve të vendosura për naftën e paligjshme.