Një sondazh i kryer në nëntë vende të BE-së zbulon se pothuaj gjysma e qytetarëve europianë e konsiderojnë Donald Trump një rrezik të drejtpërdrejtë për kontinentin. Perceptimi negativ për presidentin amerikan është më i larti në Belgjikë (62%) dhe Francë (57%), ndërsa më i ulëti në Kroaci (37%) dhe sidomos në Poloni (19%).

Sipas sondazhit të realizuar për platformën franceze “Le Grand Continent”, europianët ndihen gjithnjë e më të pasigurt për të ardhmen e tyre. Një shumicë relative, 51%, besojnë se rreziku i një lufte të hapur me Rusinë në vitet e ardhshme është i lartë, dhe 18% e konsiderojnë atë “shumë të lartë”.

Megjithë frikën në rritje, qytetarët e Europës theksojnë se marrëdhënia me SHBA-në mbetet thelbësore. Opsioni më i mbështetur për mënyrën se si BE-ja duhet t’i qaset administratës amerikane është “kompromisi” (48%).

Sondazhi konfirmon gjithashtu se qëndrimi pro-BE është i fortë: gati tre të katërtat e të anketuarve duan që vendi i tyre të mbetet në union, ndërsa shumica beson se largimi i Britanisë nga BE ka rezultuar i dëmshëm për vetë Mbretërinë e Bashkuar.

Studiuesi Jean-Yves Dormagen thotë se rezultatet tregojnë një Europë të shqetësuar dhe të vetëdijshme për dobësitë e saj. Sipas tij, perceptimi i Trump-it si kërcënim është forcuar ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, ndërsa frika nga një konflikt i mundshëm në kontinent “do të ishte e paimagjinueshme vetëm disa vite më parë”.