Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar me tone të ashpra ndaj thellimit të bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe Kanadasë, duke paralajmëruar masa të forta ekonomike ndaj produkteve evropiane.

Gjatë një tubimi në SHBA, Trump e kritikoi mundësinë e një partneriteti edhe më të ngushtë mes Brukselit dhe Otavës, duke e cilësuar një zhvillim të tillë si të papranueshëm nëse do të shihej si një veprim kundër interesave amerikane.

Sipas Trump, një afrim i tillë mund të pasohej nga vendosja e tarifave të larta doganore ndaj mallrave që importohen nga vendet e BE-së. Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se marrëdhëniet tregtare me Evropën mund të përballeshin me pasoja të mëtejshme.

Deklaratat e tij erdhën në një kohë kur Kanadaja dhe BE-ja po diskutojnë zgjerimin e bashkëpunimit në fusha ekonomike dhe strategjike.

Kryeministri kanadez Mark Carney ka mbajtur një qëndrim tjetër, duke argumentuar se një Kanada më e fuqishme dhe më e qëndrueshme do të ishte një partnere më e mirë edhe për Shtetet e Bashkuara.

Carney ka theksuar se bashkëpunimi me Evropën synon të forcojë kapacitetet dhe sovranitetin e Kanadasë, ndërsa ka sqaruar se diskutimet për një status “anëtari të asociuar” nuk nënkuptojnë një kërkesë për anëtarësim të plotë në BE.

“Kanadaja nuk ka synim të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian”, është shprehur Carney, duke nënvizuar se fokusi është te përmbajtja dhe përfitimet konkrete të partneritetit.

Nga ana tjetër, Carney dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, kanë mbështetur idenë e një bashkëpunimi më të thellë mes Kanadasë dhe Evropës, veçanërisht në çështjet e sigurisë, ekonomisë dhe autonomisë strategjike.

Marrëveshja e mundshme ende duhet të kalojë përmes procedurave përkatëse të miratimit. Ndërkohë, paralajmërimet e Trump kanë shtuar tensionet rreth marrëdhënieve tregtare mes SHBA-së dhe BE-së.