Presidenti Amerikan Donald Trump ke rikthyer kërcënimet e forta ndaj Iranit duke deklaruar se ka autorizuar një plan ushtarak të menjëhershëm, nëse Teherani ndërmerr një atentat ndaj tij.

Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump shkroi se 1.000 raketa amerikane janë “të kyçura dhe gati për tu lëshuar drejt Teheranit”, ndërsa mijëra të tjera do të pasonin menjëherë nëse autoritetet iraniane do të zbatonin, sipas tij, kërcënimet për ta vrarë ose për të tentuar eliminimin e presidentit amerikan.

“Urdhrat janë dhënë tashmë dhe ushtria amerikane është plotësisht e gatshme të shkatërrojë objektiva në të gjithë territorin e Iranit”, deklaroi Trump, duke shtuar se ky plan do të mbetej në fuqi për të paktën një vit, me mundësi zgjatjeje.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë pas raportimeve të mediave amerikane, përfshirë “Wall Street Journal”, sipas të cilave Izraeli i ka përcjellë Uashingtonit informacione se Irani po shqyrtonte një plan për atentat ndaj Trumpit.

Sipas këtyre raportimeve, Teherani vazhdon ta konsiderojë atë përgjegjës për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani në vitin 2020 dhe ka premtuar vazhdimisht hakmarrje.

Ndërkohë, media Amerikane Axios raportoi se administrata Trump i ka dërguar Iranit një ultimatum, duke kërkuar që Teherani të deklarojë publikisht se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për lundrim dhe të angazhohet se do të ndalojë sulmet ndaj anijeve tregtare.

Sipas tre zyrtarëve amerikanë të cituar nga Axios, mesazhi i është përcjellë Iranit si përmes kanaleve të drejtpërdrejta, ashtu edhe nëpërmjet ndërmjetësve rajonalë.

Këto zhvillime përkojnë me takimin e planifikuar të së shtunës në Muskat të Omanit mes ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe homologut të tij oman, Sayyid Badr Al-Busaidi, ku pritet të diskutohet kriza në Ngushticën e Hormuzit dhe vijimi i negociatave mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Sipas raportit të Axios, zyrtarë amerikanë pretendojnë se përfaqësues iranianë kanë pranuar gjatë kontakteve jozyrtare se sulmet ndaj anijeve tregtare u kryen nga elementë radikalë brenda regjimit, të cilët synonin të forconin pozitën negociuese të Iranit.

Një zyrtar amerikan tha se, pas dy ditësh përplasjesh në fillim të javës, Irani kontaktoi Uashingtonin për të kërkuar rifillimin e dialogut. Sipas tij, mesazhi i Teheranit ishte: “Kemi gabuar. Le të vazhdojmë bisedimet.”

I njëjti burim pretendoi se brenda udhëheqjes iraniane ekzistojnë përçarje lidhur me zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit me SHBA-në dhe drejtimin që duhet të marrin negociatat.

Shtetet e Bashkuara presin që pas takimit në Oman, Irani të publikojë një deklaratë ku të konfirmojë se do të ndalojë sulmet ndaj anijeve tregtare dhe se do të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, pa vendosur tarifa apo kufizime për kalimin e mjeteve detare.