Presidenti amerikan, Donald Trump e ka kërcënuar Iranin me “vdekje, zjarr dhe tërbim” nëse vazhdon të bllokojë rrugët e transportit të naftës në Lindjen e Mesme.
Në një konferencë për shtyp në Florida të hënën, Trump tha se Irani do të goditet me sulme të mëtejshme nëse bllokimi vazhdon, pasi çmimet e naftës arritën nivelin më të lartë në katër vjet, shkruan Sky News.
Trump tha se SHBA-të do ta godisnin Iranin njëzet herë më fuqishëm dhe “do ta bënin praktikisht të pamundur që Irani të rindërtohet ndonjëherë”.
“Nëse Irani bën diçka që ndalon rrjedhën e naftës brenda Ngushticës së Hormuzit, ai do të goditet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës njëzet herë më fort sesa është goditur deri më tani. Përveç kësaj, ne do të shkatërrojmë objektiva lehtësisht të shkatërrueshëm që do ta bëjnë praktikisht të pamundur që Irani të rindërtohet ndonjëherë, si Komb, përsëri – Vdekja, Zjarri dhe Tërbimi do të mbretërojnë mbi ta – Por shpresoj dhe lutem që kjo të mos ndodhë! Kjo është një dhuratë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kinën dhe të gjitha ato kombe që e përdorin shumë Ngushticën e Hormuzit. Shpresojmë që të jetë një gjest që do të vlerësohet shumë”, theksoi ai.
Garda Revolucionare e Iranit ka thënë se vendet arabe dhe evropiane do të lejohen të kalojnë nëpër ngushticë nga e marta me kusht që të dëbojnë ambasadorët e SHBA-së dhe Izraelit nga territori i tyre.
Irani pothuajse e ka ndaluar lëvizjen e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë pas sulmeve amerikane-izraelite 10 ditë më parë.
