Trump kërcënoi me “tarifa sekondare” ndaj Rusisë nëse ajo nuk pranon një armëpushim me Ukrainën. Por çfarë donte të thoshte Presidenti me këtë gjuë?
Çfarë tha Trump?
“Nëse Rusia dhe unë nuk arrijmë një marrëveshje për të ndaluar gjakderdhjen në Ukrainë, dhe nëse mendoj se Rusia është fajtore që mund të mos jetë kështu… do të vendos tarifa sekondare… për të gjithë naftën që del nga Rusia,” tha Trump për NBC News.
“Do të thotë që, nëse blini naftë nga Rusia, nuk mund të bëni biznes në Shtetet e Bashkuara,” shtoi Trump. “Do të ketë një tarifë prej 25% për gjithë naftën, një tarifë prej 25 deri në 50 pikë për gjithë naftën.”
Ai gjithashtu e përshkroi këtë si “tarifa prej 25% për naftën dhe produktet e tjera të shitur në Shtetet e Bashkuara, tarifa sekondare”.
Çfarë është një tarifë sekondare?
Kur një qeveri vendos tarifa tregtare, do të thotë se ajo i vë taksë importuesit të mallrave. Kjo është praktikisht një tarifë hyrëse për produktet, zakonisht e vendosur si një përqindje e vlerës së tyre.
Kjo nuk është hera e parë që Trump flet për përdorimin e “tarifave sekondare”. Ai duket se i referohet një tarife të vendosur mbi një vend që bën biznes me një tjetër vend në këtë rast, me Rusinë.
Kështu, Trump duket se kërcënon të vendosë një tarifë prej 25% deri në 50% për produktet që importohen në SHBA nga vendet që blejnë naftë ruse. Blerësit më të mëdhenj të naftës ruse janë Kina dhe India.
Çfarë ndryshimi do të sillte kjo?
Në mars 2022, SHBA shpalli ndalimin e importit të pothuajse të gjitha produkteve energjetike ruse. Vende të tjera perëndimore kanë shpallur sanksione të ngjashme.
Gjithashtu, SHBA ka një regjim sanksionesh shumë të gjerë dhe shumë të ndërlikuar kundër Rusisë. Qëllimi i këtyre sanksioneve është, pjesërisht, të vështirësojë blerjen dhe shitjen e produkteve nga Rusia dhe të reduktojë shumën e parave që ajo mund të fitojë.
Tarifat sekondare që Trump sugjeron do ta bënin më të vështirë për Rusinë të shesë naftë pasi blerësit do të ishin të kujdesshëm për të mos dëmtuar tregtinë e tyre me SHBA-në.//BBC
