Donald Trump ka njoftuar se mund të tërheqë të gjitha trupat amerikane nga Evropa, në një nga kërcënimet e tij më të gjera deri më tani ndaj aleatëve në rajon. Paralajmërimin e ka bërë gjatë qëndrimit në Ankara me rastin e Samitit të NATO. Kërcënimi erdhi ndërsa presidenti amerikan ringjalli thirrjet e tij që SHBA-të të marrin kontrollin e Groenlandës, duke rindezur potencialisht një krizë që ka paraqitur kërcënimin më të madh për unitetin transatlantik.
“Groenlanda nuk i sjell dobi Danimarkës. Danimarka nuk shpenzon para për ta ndihmuar vërtet Groenlandën. Por ajo është një pjesë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Dhe është e rrethuar nga anije kineze e ruse. Dhe kjo nuk do të ndodhë. Ajo duhet të kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara, jo nga Danimarka. Dhe kur ata nuk pranuan ta bënin këtë- duke marrë parasysh gjithë paratë që shpenzojmë për t’i ndihmuar përballë Rusisë- ne nuk jemi të detyruar të shpenzojmë para. Ne mund t’i tërhiqnim të gjithë ushtarët tanë nga Evropa”, tha Presidenti i SHBA-ve Donald Trump.
Dëshira e hershme e Trump për të marrë kontrollin e ishullit Arktik në pronësi daneze është një nga kërcënimet më të mëdha për të ardhmen e NATO-s, e cila është vënë në dyshim nga sulmet e rregullta të presidentit të paqëndrueshëm të SHBA-së ndaj aleatëve evropianë dhe paralajmërimet se ai mund të refuzojë t’u vijë në ndihmë nëse ata nuk shpenzojnë më shumë për mbrojtje.
Duke folur përkrah Erdoganit në kompleksin e presidentit turk në prag të samitit vjetor të liderëve të NATO-s, Trump tha se “ishte shumë i zhgënjyer me NATO-n”, duke shtuar se nëse takimi nuk do të mbahej në Turqi, “ku miku im është një udhëheqës shumë i fortë, një person shumë i fortë, është e mundur që unë të mos kisha marrë pjesë”.
“Do të shohim; u zhgënjeva shumë nga NATO-ja dhe, sinqerisht, po të mos mbahej në Turqi- ku miku im është një lider shumë i fuqishëm, një njeri shumë i fortë-ka mundësi që nuk do të kisha marrë pjesë. Ndjeva se duhej të merrja pjesë, sepse e di që ai ka bërë gjithçka që ka pasur në dorë. Por nuk na trajtuan mirë sepse bëmë diçka në Iran. Nuk kemi nevojë për ndihmën e askujt. Madje as nuk e doja ndihmën e tyre, por para se ta kërkoja, ata thanë se nuk do të ishin aty”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan deklaroi se do t’i hiqte sanksionet ndaj Turqisë dhe do të merrte një vendim lidhur me shitjen e mundshme të avionëve F-35 Ankarasë. Një masë e tillë është pritur me zemërim nga aleati i ngushtë i SHBA, Izraeli, pasi Turqinë e shikon si një vend jo mike.
