Donald Trump i ka habitur të gjithë teksa deklaroi se vendet e NATO-s mund të kundërpërgjigjen duke sulmuar avionët luftarakë të Rusisë, që shkelin hapësirën e tyre ajrore.
Kjo vjen pasi dronët rusë kaluan në hapësirën ajrore polake këtë javë, mes luftës së vazhdueshme me Ukrainën, e më pas në Estoni, Rumani e Norvegji.
“A mendoni se vendet e NATO-s duhet të rrëzojnë avionët rusë nëse ata hyjnë në hapësirën e tyre ajrore?”– e pyeti një gazetar Trumpin.
“Po, po,”-, u përgjigj ai.
Një gazetar tjetër e pyeti Trumpin nëse SHBA-të do të “mbështesnin” ose “ndihmonin” aleatët e NATO-s që rrëzuan aeroplanët rusë.
Trump tha se kjo “varet nga rrethanat, por ne jemi shumë të fortë ndaj NATO-s”.
Ka pasur tre raste të mëdha këtë muaj ku avionët rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s. Më 19 shtator, tre avionë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta mbi Gjirin e Finlandës. NATO i interceptoi, por nuk u përball me avionin.
Disa ditë më vonë, më 21 shtator, një aeroplan zbulimi rus IL-20M hyri në hapësirën ajrore neutrale të Detit Baltik. Avionët luftarakë gjermanë dhe suedezë e interceptuan atë aeroplan. Dhe pastaj, të hënën, më 22 shtator, avionë luftarakë rusë hynë në hapësirën ajrore rumune dhe polake gjatë ushtrimeve.