Donald Trump u kthye në SHBA-a pas samitit të NATO-s që në media të rëndësishme si CNN, u përshkrua si “i mbyllur me nota pozitive”.
Kur liderët europianë po hynin në takim të mërkurën, atmosfera ishte e zymtë: Trump ishte ulur pak jashtë dyerve të sallës së konferencës, duke renditur me zemërim çdo pakënaqësi që kishte ndaj NATO-s, që nga bllokada e bërë pretendimeve ndaj Groenlandës e deri te refuzimi i Spanjës për të lejuar përdorimin e bazave të saj në luftën kundër Iranit.
Homologët e Trumpit, shkruan media e njohur, u përgatitën për qortimin e ashpër që shumë prisnin në këtë samit, megjithatë kjo nuk ndodhi.
Në fund, thotë CNN, Trumpi u shfaq më pak i ashpër se përpara kamerave: I ulur në tryezën e rrumbullakët, ai nuk e përmendi fare Groenlandën, as Spanjën, edhe pse u ankua se vendet e përfaqësuara në konferencë nuk e kishin mbështetur kundër Iranit.
Ndonëse shprehu po kështu pakënaqësinë për gjendjen e marrëveshjes me Teheranin, duke thënë se ajo tashmë ishte praktikisht rrëzuar pas sulmeve të Iranit ndaj disa anijeve në Ngushticën e Hormuzit, nuk e përsëriti kërcënimin se do t’i tërhiqë plotësisht Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja.
Përkundrazi, u shfaq i interesuar kur liderët përshkruan përpjekjet e tyre për të investuar më shumë në mbrojtje. Kjo klimë pozitive ka mjaftuar që samiti të konsiderohej një sukses. Me lajme të mira nga ky samit doli edhe Shqipëria.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi zyrtarisht nga Ankaraja se vendi ynë do të mirëpresë Samitin e ardhshëm të Aleancës.
Liderët e 32 vendeve anëtare do të mblidhen në Tiranë gjatë vitit 2027, ndërsa data dhe periudha e saktë e zhvillimit të samitit do të përcaktohen në vijim, pas konsultimeve mes aleatëve.
