Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka firmosur dy urdhra të rinj ekzekutivë që synojnë të kufizojnë përfitimin e shtetësisë amerikane me lindje dhe të frenojnë fenomenin e njohur si “turizmi i lindjeve”, duke rikthyer në qendër të debatit një nga çështjet më të diskutueshme të politikës së emigracionit.

Njëri prej urdhrave parashikon kufizime për kategori të caktuara personash, përfshirë fëmijët e lindur nga individë me status diplomatik, persona të cilësuar si “armiq të huaj” të Shteteve të Bashkuara, si dhe raste kur autoritetet dyshojnë se prindërit kanë përdorur mashtrime për të siguruar shtetësinë amerikane.

Urdhri i dytë synon të kufizojë hyrjen në SHBA të shtetasve të huaj që udhëtojnë me qëllim lindjen e fëmijës në territorin amerikan, në mënyrë që ai të përfitojë automatikisht shtetësinë.

Trump deklaroi se është i bindur se masat e reja janë në përputhje me Kushtetutën, pavarësisht se Gjykata Supreme kishte rrëzuar më herët përpjekjen e tij për të ndryshuar mënyrën e zbatimit të shtetësisë me lindje. Ai kritikoi vendimin e gjykatës, duke theksuar se administrata e tij do të vazhdojë përpjekjet për reformimin e politikave të emigracionit.

Nga ana tjetër, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve dhe ekspertët e së drejtës kushtetuese argumentojnë se shtetësia me lindje mbrohet nga Amendamenti i 14-të i Kushtetutës amerikane dhe paralajmërojnë se urdhrat e rinj mund të përballen sërish me sfida në gjykatë.

Kujtojmë se në muajin qershor, Gjykata Supreme hodhi poshtë urdhrin e parë të administratës Trump për kufizimin e shtetësisë me lindje, duke riafirmuar interpretimin tradicional se personat e lindur në territorin e SHBA-së janë qytetarë amerikanë, me disa përjashtime të përcaktuara nga ligji.

Me urdhrat e rinj, administrata Trump pritet të përballet me një tjetër betejë ligjore, ndërsa debati mbi shtetësinë me lindje mbetet një nga temat më të ndjeshme në politikën amerikane.