Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se ka urdhëruar një rritje shtesë prej 9% të tarifave doganore ndaj Zvicrës, pasi nuk i pëlqeu mënyra se si i foli një zyrtare zvicerane, e cila e kishte telefonuar për t’i kërkuar të tërhiqte masat.

Në një intervistë, Trump tha se e konsideroi tonin e Karina Keller-Sutter, anëtare e Këshillit Federal të Zvicrës, të cilën ai gabimisht e quajti “kryeministre”, si “të përsëritur” dhe “agresiv”.

“Vendosa një tarifë 30%, që është shumë e ulët. Më pas mora një telefonatë urgjente nga, mendoj, Kryeministrja e Zvicrës dhe ajo ishte shumë agresive, por e sjellshme, megjithatë shumë agresive. Ajo thoshte: ‘Zotëri, ne jemi një vend i vogël. Nuk mund ta bëni këtë. Nuk mund ta bëni këtë’. Nuk arrija t’ia mbyllja telefonin. Nuk më pëlqeu aspak mënyra si na foli, prandaj në vend që t’i jepja ulje, e rrita në 39%”, u shpreh ai.

Trump pretendoi se i ishte përgjigjur zyrtares zvicerane se, pavarësisht madhësisë së vogël të vendit, Zvicra ka një deficit tregtar prej 42 miliardë dollarësh ndaj Shteteve të Bashkuara. Presidenti amerikan pretendoi gjithashtu se Zvicra nuk paguante fare tarifa doganore, ndërkohë që eksportonte produkte në SHBA “në një nivel që askush nuk do ta besonte”.

Deklarata të ngjashme ai kishte bërë edhe disa javë më parë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku u shfaq i pasigurt nëse Zvicra ka kryeministër apo president.

“Mendoj se Kryeministrja, nuk e di, Presidentja, Kryeministrja më telefonoi, një grua. Dhe ishte shumë e përsëritur. Thoshte: ‘Jo, jo, jo, nuk mund ta bëni këtë, 30%. Ne jemi një vend i vogël, shumë i vogël’. Por unë thashë: ‘Mund të jeni të vegjël, por keni një deficit të madh’”, kishte deklaruar ai.

Zvicra nuk ka as kryeministër dhe as president ekzekutiv, vendi drejtohet kolektivisht nga një Këshill Federal me shtatë anëtarë.