Presidenti amerikan, Donald Trump tha se është “jashtëzakonisht e pamundur” që ai të duhet të urdhërojë veprime të reja ushtarake amerikane kundër Iranit nëse bëhet përparim në negociatat mbi programin bërthamor të Teheranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Në një intervistë telefonike 20-minutëshe me CNN, presidenti amerikan përsëriti pesë herë se ai e konsideron nevojën për veprime të reja ushtarake si jashtëzakonisht të pamundur.

“Varet nëse ata nënshkruajnë një marrëveshje shumë të fortë”, tha ai, duke iu referuar udhëheqjes iraniane.

“Wshtë jashtëzakonisht e pamundur që të jetë e nevojshme. Ata janë një shtet në kolaps. Sapo u njoftua, e patë, se inflacioni i tyre këtë vit është 301%. Është jashtëzakonisht e pamundur që të jetë e nevojshme t’i sulmojmw. Do ta bëja nëse do të ishte e nevojshme, por ne i goditëm ata shumë fort. I godita kaq fort”, tha ai.

Trump vazhdoi duke thënë se situata ekonomike dhe ushtarake e Iranit është përkeqësuar në mënyrë dramatike: “Pra, është shumë e pamundur që të më duhet ta bëj këtë. Ata po vuajnë ekonomikisht. Ne i kemi goditur ushtarakisht. Ne mund t’i shkatërrojmë”, shtoi ai.

Kam tre transportues aeroplanësh, ne jemi gati

Tetë muaj pas fillimit të luftës, ngwrçi në negociata midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbetet i pazgjidhur, pa asnjë aktivitet të rëndësishëm ushtarak apo përparim të rëndësishëm diplomatik, ndërsa tankerët që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë të sulmohen nga Irani.

Të dy vendet, si dhe Katari, i cili ka marrë një rol ndërmjetësues, nuk kanë publikuar detaje rreth progresit të bisedimeve.

Pavarësisht pretendimit të tij se ai dëshiron një zgjidhje diplomatike, presidenti amerikan theksoi se forcat amerikane në rajon janë në gatishmëri të plotë operacionale.

“Ne jemi gati. Unë kam tre transportues aeroplanësh atje. Tjetri sapo mbërriti. Ato janë të pajisura plotësisht dhe gati për të sulmuar”, tha ai.

Presidenti tha gjithashtu se SHBA-të kanë identifikuar objektiva infrastrukturore brenda Iranit në rast të veprimeve të reja ushtarake, duke përfshirë termocentralet dhe urat.

“Ne kemi 38 ura në shënjestër që mund t’i shkatërrojmë fjalë për fjalë brenda një ore. Të gjitha do të shemben”, tha ai.

Megjithatë, ai tha se do të preferonte të mos shkatërronte infrastrukturën iraniane.

“Nuk dua ta bëj këtë sepse, në thelb, do të duhen 10 vjet për t’i rindërtuar ato. Nuk më pëlqen të shemb urat. Dhe gjëja më e vështirë për t’u ndërtuar është një urë. Duhen vite, dhe unë jam një ndërtues i mirë.”

Ata kanë vetëm 10% të raketave të tyre dhe 15% të dronëve të tyre të mbetur

Presidenti amerikan iu referua gjithashtu gjendjes operative të forcave të armatosura iraniane, duke argumentuar se sulmet e mëparshme amerikane kanë kufizuar në mënyrë drastike aftësitë e Teheranit.

Sipas tij, sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit janë shkatërruar, duke e bërë vendin veçanërisht të prekshëm ndaj sulmeve të reja amerikane.

“Ata nuk mund t’i ndalojnë, sepse nuk kanë sisteme mbrojtjeje ajrore. E gjithë mbrojtja e tyre ajrore është shkatërruar,” tha ai. Në të njëjtën kohë, ai argumentoi se Irani tani ka vetëm 10% të aftësisë së tij të mëparshme raketore dhe 15% të aftësive të tij të dronëve.

Në përfundim, Trump u rikthye te mundësia e një operacioni të ri ushtarak amerikan, duke këmbëngulur se nuk besonte se do të ishte e nevojshme.

Top Channel