Presidenti amerikan Donald Trump mund të vizitojë Kinën ose të takojë presidentin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut, në kuadër të samitit të Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), i cili do të zhvillohet nga 30 tetori deri më 1 nëntor, raportoi gazeta kineze South China Morning Post, duke cituar burime të shumta diplomatike.

Vizita e mundshme e Trumpit vjen në një moment kur SHBA dhe Kina po përpiqen të ulin tensionet tregtare, të shkaktuara nga një luftë doganore e zgjatur, që ka prekur rëndë zinxhirët globalë të furnizimit dhe ekonominë ndërkombëtare.

Trump kërkon tarifë të njëjtë për të gjitha vendet – Kina më e goditura

Trump ka propozuar që të vendoset një tarifë doganore prej 10% për të gjitha mallrat e importuara në SHBA, por për disa vende – si Kina – kjo tarifë është shumë më e lartë, deri në 55%.

Qeveria Trump argumenton se tarifat do të forcojnë prodhimin vendas, por kritikët theksojnë se çmimet për konsumatorët amerikanë po rriten, pasi shumë produkte të përditshme janë bërë më të shtrenjta.

Afati i fundit për një marrëveshje tregtare

Sipas të njëjtit burim, Trump i ka dhënë afat deri më 12 gusht Pekinit për të arritur një marrëveshje për reduktimin e tarifave, në të kundërt, mund të shtohen masat e tjera ekonomike kundër Kinës.

Nga Shtëpia e Bardhë nuk ka ende një konfirmim zyrtar për takimin apo vizitën e mundshme të Trumpit në Kinë ose Korenë e Jugut, ndërsa përpjekjet diplomatike mbeten të intensifikuara në prapaskenë.

Samiti i APEC pritet të jetë një nga momentet kyçe për të kuptuar nëse do të ketë ulje tensionesh mes dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë.