Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, ka bërë të ditur se Moska dhe Shtetet e Bashkuara pritet të zhvillojnë komunikime të tjera mbi çështjen e Ukrainës.

Në një intervistë për “Channel One”, ai deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump “nuk është larguar nga bisedimet dhe premtimet e bëra në Alaska”, por po konsultohet me aleatët për hapat e ardhshëm.

“Ne u ndamë në Anchorage pasi pranuam paradigmën që promovoi Donald Trump, bazuar në kuptimin e shkaqeve rrënjësore dhe të pozicionit tonë. Ai nuk është larguar nga ky pozicion, por tha se do të konsultohet me aleatët e tij”, tha Lavrov.

Diplomati i lartë rus shtoi se pas takimit mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut amerikan, pala amerikane zhvilloi një takim në Uashington me liderët evropianë dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Sipas tij, udhëheqësit evropianë i kanë kërkuar Trumpit të rikthejë politikën amerikane në kursin e ndjekur gjatë administratës së Joe Biden, duke e përfshirë sërish SHBA-në në përballje me Rusinë.

“Evropianët nuk e fshehin që po e dekurajojnë hapur udhëheqjen amerikane nga çdo veprim konstruktiv ndaj Rusisë. Ata duan që SHBA të kthehet te ‘shpati i rrëshqitshëm’ i kohës së Biden, kur ishte lufta e Joe Biden,” u shpreh Lavrov.