Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua vetëm disa orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve miratoi masën me një votim kryesisht përgjatë vijave partiake, me rezultat 222-209. Senati e kishte miratuar masën që të hënën.
Mbyllja më e gjatë e qeverisë amerikane ndonjëherë përfundoi zyrtarisht të mërkurën, pasi Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një ligj për financimin e qeverisë, i cili ishte negociuar nga ligjvënës republikanë dhe një grup i vogël demokratësh të moderuar.

Nënshkrimi i tij i jep fund mbylljes së dytë të qeverisë gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë një periudhë që thelloi ndarjet partiake në Uashington, ndërsa administrata e tij ndërmori veprime të paprecedenta të njëanshme, përfshirë anulimin e projekteve dhe përpjekjet për të shkarkuar punonjës federalë, për të ushtruar presion ndaj demokratëve që të hiqnin dorë nga kërkesat e tyre.

Mbyllja rekord 43-ditore shkaktoi vështirësi financiare për punonjësit federalë që mbetën pa paga, bllokoi udhëtarë në aeroporte dhe krijoi radhë të gjata në disa banka ushqimore.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua vetëm disa orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve miratoi masën me një votim kryesisht përgjatë vijave partiake, 222 pro dhe 209 kundër. Senati e kishte miratuar të hënën.

Mbyllja filloi pasi demokratët refuzuan të mbështesnin një projektligj të përkohshëm për shpenzimet që nuk përfshinte zgjatjen e një kredie tatimore të përmirësuar, e cila ul koston e sigurimeve shëndetësore të marra përmes tregjeve të Aktit për Kujdes të Përballueshëm (Affordable Care Act).

Pa këtë kredi tatimore të përmirësuar, primet e sigurimit do të më shumë se dyfishohen mesatarisht për miliona amerikanë. Më shumë se 2 milionë njerëz do të humbnin plotësisht mbulimin e sigurimit shëndetësor vitin e ardhshëm, sipas vlerësimeve të Zyrës së Buxhetit të Kongresit (CBO).

Legjislacioni është rezultat i një marrëveshjeje të arritur nga tetë senatorë që u shkëputën nga linja e demokratëve, pasi arritën në përfundimin se republikanët nuk do të lëshonin pe në këtë çështje.

Zhgënjimi dhe presioni i krijuar nga mbyllja u reflektuan gjatë debatit të ligjvënësve në Dhomën e Përfaqësuesve mbi masën e shpenzimeve.

Republikanët thanë se demokratët kërkuan ta përdorin dhimbjen e shkaktuar nga mbyllja për të fituar një betejë politike.
“E dinin që do të shkaktonte dhimbje dhe gjithsesi e bënë,” tha Kryetari i Dhomës, Mike Johnson.

Demokratët thanë se republikanët nxituan të miratonin më herët këtë vit lehtësime tatimore që, sipas tyre, do t’u shërbejnë kryesisht të pasurve. Por projektligji që kishte të bënte me votimin e së mërkurës “lë familjet të varen në ajër, pa asnjë garanci se do të ketë ndonjëherë një votim për të zgjatur kreditë tatimore që ndihmojnë njerëzit e zakonshëm të paguajnë kujdesin shëndetësor”, tha përfaqësuesi demokrat Jim McGovern.

Lideri demokrat Hakeem Jeffries tha se demokratët nuk do të heqin dorë nga përpjekjet për zgjatjen e subvencionit, edhe nëse votimi nuk u shkon në favor.
“Kjo betejë nuk ka mbaruar,” tha Jeffries. “Ne sapo kemi filluar.”

Çfarë përmban projektligji?

Kompromisi financon tre projektligje vjetore të shpenzimeve dhe zgjat financimin e pjesës tjetër të qeverisë deri më 30 janar. Republikanët premtuan të mbajnë një votim deri në mesin e dhjetorit për të zgjatur subvencionet e kujdesit shëndetësor, por nuk ka asnjë garanci për sukses.

Projektligji përfshin një anulim të shkarkimeve të punonjësve federalë nga administrata Trump që nga fillimi i mbylljes së qeverisë. Ai gjithashtu i mbron punonjësit federalë nga shkarkime të mëtejshme deri në janar dhe garanton që ata do të paguhen sapo të përfundojë mbyllja.

Projektligji për Departamentin e Bujqësisë nënkupton se njerëzit që mbështeten në programet kryesore të ndihmës ushqimore do të vazhdojnë t’i marrin ato përfitime pa ndërprerje deri në fund të vitit buxhetor.

Paketa përfshin 203.5 milionë dollarë për të forcuar sigurinë e ligjvënësve dhe 28 milionë dollarë shtesë për sigurinë e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Demokratët gjithashtu kritikuan gjuhën në projektligj që do t’u jepte senatorëve mundësinë të padisin kur një agjenci federale ose një punonjës kërkon në regjistrat e tyre elektronikë pa i njoftuar ata, duke lejuar dëmshpërblim deri në 500,000 dollarë për çdo shkelje.

Kjo dispozitë duket se synon t’u japë mundësi senatorëve republikanë të kërkojnë dëmshpërblime nëse regjistrat e tyre telefonikë janë analizuar nga FBI si pjesë e hetimit për përpjekjet e Trump-it për të përmbysur humbjen e zgjedhjeve të vitit 2020. Dispozitat ngjallën kritika edhe nga republikanët. Johnson tha se ishte “shumë i zemëruar për këtë.”

“Ajo u fut në momentin e fundit, dhe nuk e vlerësova fare, ashtu si shumica e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve,” tha Johnson, duke premtuar një votim për këtë çështje që mund të mbahet që javën e ardhshme.

Nuk është e qartë nëse partitë do të gjejnë ndonjë terren të përbashkët për kujdesin shëndetësor para votimit të dhjetorit në Senat. Johnson ka thënë se nuk do të angazhohet ta sjellë atë për votim në dhomën e tij.

Disa republikanë kanë thënë se janë të hapur për të zgjatur kreditë tatimore të epokës së pandemisë COVID-19, por duan gjithashtu kufizime të reja mbi atë se kush mund t’i marrë subvencionet. Disa argumentojnë se dollarët e taksave për këto plane duhet të kalojnë përmes individëve, në vend që të shkojnë drejtpërdrejt te kompanitë e sigurimeve.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve shprehën skepticizëm të madh se përpjekja e Senatit do të çonte në një përparim.