Ministria e Jashtme e Iranit ka hedhur poshtë deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se është angazhuar në dialog me Teheranin me qëllim uljen e tensioneve.

Në deklaratë thuhet se deklaratat e presidentit amerikan synojnë, nga njëra anë, të mbajnë nën kontroll çmimet e energjisë dhe, nga ana tjetër, të sigurojnë kohë për të avancuar në planifikimin e veprimeve ushtarake. Ministria e Jashtme iraniane thekson gjithashtu se ka iniciativa nga vendet e rajonit për uljen e tensioneve, por shton se këto shqetësime duhet t’i drejtohen Uashingtonit, të cilin e cilëson si “palën që e nisi këtë luftë”.

Kujtojmë se më herët Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shtyjnë përkohësisht të gjitha sulmet ushtarake të planifikuara ndaj Iranit, pas dy ditësh bisedimesh që ai i cilësoi si “shumë të mira dhe produktive”.

Në një deklaratë të publikuar në platformën Truth Social, Trump bëri të ditur se ka udhëzuar ushtrinë amerikane të pezullojë “të gjitha sulmet ushtarake ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane”. Sipas tij, ky pezullim do të zgjasë për pesë ditë dhe mbetet i kushtëzuar nga “suksesi i takimeve dhe diskutimeve që janë ende në zhvillim”.