Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të dërgojë raketa Patriot në Ukrainë, duke thënë se Kievi ka nevojë për to për t’u mbrojtur nga Rusia. Ai nuk specifikoi se sa raketa do të dërgohen në Ukrainë, por theksoi se Bashkimi Evropian do të rimbursojë kostot e raketave.
“Presidenti rus Vladimir Putin thotë gjëra të bukura, dhe pastaj në mbrëmje bombardon gjithçka. Do t’i dërgojmë ‘patriotët’ që u nevojiten me dëshpërim ukrainasve, sepse Putini habiti shumë njerëz. Ai thotë gjëra të bukura dhe pastaj bombardon. Ka një problem të vogël, dhe ky është se mua nuk më pëlqejnë gjëra të tilla,”– tha Trump.
Ky është një ndryshim kursi, pasi edhe pse e kishte premtuar pak kohë më parë, Trump kishte vendosur që të mos e armatoste më Ukrainën. Por mesa duket lëvizjet e Putin në terren e kanë bërë që të ndryshojë mendjen. Ndërkohë mediat kanë zbuluar prapaskena të tjera. Sipas “Axios”, presidenti rus Vladimir Putin i tha Donald Trump se planifikon të intensifikojë operacionet ushtarake në Ukrainën lindore brenda 60 ditëve. Artikulli i “Axios” i publikuar sot më 14 korrik ka cituar burime të paidentifikuara por që kanë dijeni lidhur me përmbajtjen e telefonatës mes udhëheqësve të dy vendeve në nisje të këtij muaji. Thirrja u zhvillua më 3 korrik dhe sipas të njëjtave burime, Putin njoftoi se Rusia do të vazhdojë ofensivën e saj derisa të marrë kontrollin e plotë territorial mbi territoret e pushtuara ukrainase.
“Ai dëshiron të marrë gjithçka,”- i tha Trump presidentit francez Emmanuel Macron pas bisedës me udhëheqësin rus.
Moska aktualisht kontrollon rreth 20 përqind të territorit të Ukrainës, duke përfshirë pothuajse të gjithë Oblastin e Luhanskut, dy të tretat e Donetskut dhe pjesë të Oblasteve të Zaporozhjes dhe Khersonit. Në vitin 2022, pas referendumit, Rusia shpalli aneksimin e këtyre zonave.
Më 14 korrik, Trump njoftoi se do të dërgonte sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot në Kiev, të cilat do të ishin paketa e tij e parë ushtarake në Ukrainë që nuk do të trashëgohej nga administrata e mëparshme e Biden. Kjo shënon një përmbysje të mundshme të qëndrimit të tij të mëparshëm, në vend që të ftonte Putinin në bisedime, Trump tani po mbështet gjithnjë e më shumë aftësitë mbrojtëse të Ukrainës.
Ndërkohë luftime të ashpra vazhdojnë në pjesën lindore të Ukrainës – forcat ruse pretendojnë se kanë pushtuar vendbanimet Nikolaevka dhe Karl Marks në rajonin e Donetskut. Rusët vazhdojnë përpjekjet e tyre për të hyrë në territorin e rajonit të Dnipropetrovskit dhe tashmë i janë afruar shumë kufirit administrativ në territorin e atij rajoni.
