Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur në mënyrë provokuese idenë për ndryshimin e emrit të Ngushticës së Hormuzit, duke sugjeruar që një nga korridoret detare më strategjike në botë të quhet Ngushtica e Trumpit.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, në një postim në rrjetin e tij social, Trump pyeti nëse, tashmë që Shtetet e Bashkuara pretendojnë se kanë marrë kontrollin e zonës, ngushtica duhet të riemërtohet sipas tij. Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit dhe ndodhet mes Iranit dhe Omanit.

Trump e shoqëroi propozimin me një koment ironik, duke thënë se nëse ngushtica do të mbante emrin e tij, do të jetë më nxehtë në atë drejtim. Deklarata vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon, ku kontrolli dhe siguria e Ngushticës së Hormuzit kanë marrë rëndësi të veçantë për tregjet energjetike dhe transportin ndërkombëtar. Nuk është e qartë nëse propozimi i Trumpit ishte një shaka apo një ide që ai e konsideron seriozisht.